Shkencëtarët britanikë po testojnë një ilaç të ri që mund të parandalojë që dikush që ka qenë i ekspozuar ndaj koronavirusit të zhvillojë sëmundjen Covid-19.
Terapia me antitrupa do të japë imunitet të menjëhershëm kundër sëmundjes dhe mund të jepet si një trajtim urgjent për pacientët e shtruar në spital, raporton The Guardian.
Njerëzit që jetojnë në familje ku dikush është infektuar me Covid mund të injektohen me këtë ilaç për të siguruar që edhe ata të mos infektohen. Ai gjithashtu mund t’u jepet studentëve të universitetit, midis të cilëve virusi është përhapur me shpejtësi sepse ata jetojnë, studiojnë dhe shoqërohen së bashku.
Dr Catherine Houlihan, një virologe në “University College London Hospitals” (UCLH) e cila po udhëheq studimin tha se nëse provohet se ky trajtim funksionon “do të ishte një shtesë emocionuese në arsenalin e armëve që po zhvillohen për të luftuar këtë virus të tmerrshëm.”
Ilaçi është zhvilluar nga UCLH dhe AstraZeneca, kompania farmaceutike që gjithashtu, së bashku me Universitetin e Oksfordit, kanë krijuar një vaksinë që Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore pritet të miratojë për përdorim në Britani javën e ardhshme.
Ekipi shpreson që testimi të tregojë se kokteji i antitrupave mbron nga Covid-19 për gjashtë deri në 12 muaj.
Ilaçi mund të jetë në dispozicion që në Mars ose Prill nëse miratohet nga rregullatori i ilaçeve pasi të ketë shqyrtuar provat nga studimi.