9 persona të identifikuar me koronavirus janë zbuluar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të personave të sëmurë në 51.
Informacioni i bë publik, të hënën paradite, në komunikimin e përditshëm të Institutit të Shëndetit Publik.
Katër prej të prekurve janë një mjek dhe tre infermierë të Spitalit Shefqet Ndroqi.
Ata janë infektuar pasi i kanë shërbyer një pacienti të prekur me koronavirus, i shtruar në spital që prej 23 shkurtit. Ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia, dhe që nuk e ka dhënë këtë informacion tek stafi mjekësor.
Në total, deri tani janë testuar 563 persona të dyshuar në vend. Ndërsa në 24 orët e fundit janë testuar 31 persona.
Personat e sëmurë gjenden në këto qytete:
— Në Tiranë: 34 persona;
— Në Durrës: 5 persona, përfshi një të moshuar që ndërroi jetë;
— Në Fier: 6 persona;
— Në Lushnje: 2 persona;
— Në Elbasan: 2 persona;
— Në Rrogozhinë: 2 persona.
Prej tyre, 20 janë të shtruar në Spitalin Infektiv të QSUT-së—tre prej të shtruarve janë në terapi intensive, mes të cilëve një 66-vjeçar nga Lushnja që ndodhet në gjendje më kritike.
Të sëmurët e tjerë të shtruar janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Personat e tjerë të infektuar janë në gjendje të mirë shëndetësore, të izoluar në banesat e tyre.
Personeli mjekësor është në gjendje të mirë shëndetësore, pa simptoma dhe i vetëkarantinuar.
Për të lexuar më shumë për të dhënat e personave të infektuar kliko këtu.