Në fund të muajit janar, për hir të mjedisit, Qeveria tha se“ngriu” të gjitha lejet e HEC-eve në vend. Dy muaj më pas ngrirja ka kaluar në shkrirje. Qeveria nuk e ka ndalur procesin e dhënieve të lejeve për hidrocentrale, përkundrazi. Në Bulqizë i ka kërkuar Bashkisë që t’i kalojë në pronësi Ministrisë së Mjedisit një pyll që më pas t’i japë leje një kompanie për të ndërtuar atje 2 hidrocentrale.
Në fillim të këtij viti denoncime të vazhdueshme nga ambientalistët dhe udhërrëfyesit turistikë ngritën alarmin e pasojave që po sillte ndërtimi i një hidrocentrali në kanionin e Holtës në Gramsh. Nën një trysni në rritje nga opinioni publik (për shkak edhe të protestave studentore), ministrja e re e Energjitikës, Belinda Balluku njoftoi pezullimin e lejeve të 440 hidrocentraleve në vend.
Të nesërmen dy ministrat e linjës, Balluku e Energjitikës, Blendi Klosi i Mjedisit dhe deputeti i Elbasanit, Taulant Balla vajtën në Holtë ku përballë disa banorëve thanë se “kishin nisur një tur dëgjesash për sa i përket çështjeve të HEC-eve”. Propagandë. Kjo u vërtetua fiks të hënën e kësaj jave kur gazetari Sami Curri, kryeredaktor i portalit “bulqizaime.al” dhe një mori faqesh në rrjetet sociale denoncuan përpjekjen e Ministrisë së Mjedisit për t’i hapur rrugë ndërtimit të dy HEC-eve në Bulqizë.
Sipas dokumentit të rrjedhur, Ministria i ka kërkuar Bashkisë Bulqizë pronësinë e fondit pyjor/kullosor në fshatrat Koçaj dhe Dragu, për t’i hapur rrugë ndërtimit të heceve “Dushk” dhe “Dragoi” nga kompania “Renewable Energy”.
Në rrjetet sociale u publikua një projekt-vendim, i cili megjithëse nuk mban numër protokolli apo datë, kishte firmën e kryetarit të Bashkisë Melaim Damzi dhe përmes saj kërkontevotën e Këshillit Bashkiak në mënyrë që zona e pretenduar t’i kalohej në pronësi të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit.
Kohë më parë, zona ku parashikohet të ndërtohen dy hidrocentralet vuajti një kalvar të gjatë kontestimesh nga banorët për një tjetër çështje mjedisore. Në “Sheshe Bulqizë” banorët kundërshtuan një koncesion të shfrytëzimit të pyllit.
Raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis për HEC Dushku dhe Dragoi e përmendin si situatë shpyllëzimin. Edhe pse hidrocentralet parashikohet të jenë me fuqi jo të madhe 1000KW dhe 650KW, fakti se ato do të mbledhin me një sistem tubacioni ujërat e përrenjve si për shembull pellgun e Shullerit, përroin e Lëpushës, apo ujërat e lumit Zalli i ka shqetësuar banorët për fatet e pyllit dhe zonës pasi në këtë mënyrë kërcënohet bimësia dhe vetë ekosistemi.
Kush është kompania Renewable Energy (R.E.C shpk) që kërkon të ndërtojë dy HEC-et?
Kompania rezulton të jetë themeluar më 19 shtator 2016 dhe ka si pronarë ortakët Fation Veizaj dhe Dorian Kale. Dy biznesmenët në fjalë njihen më së shumti për aktivitetin në fushën e hidrokarbureve. Po ata zotërojnë që prej vitit 2013 RDA Petrol, një kompani që në vitin 2014 “arriti një xhiro prej44 milionë eurosh (5.5 miliardë lekë) me një rritje vjetore prej 82%”. Veizaj njihet gjithashtu për përvojën e tij rreth një-vjeçare në atë periudhë si administrator i ARMO-s. Ai u emërua pas largimit të Rezart Taçit në gusht të vitit 2013.
Por R.E.C shpk nuk është e vetmja, Veizaj dhe Kale zotërojnë gjithashtu Dea Hydropower (RDA Petrol 90%; Fatjon Veizaj 5% dhe Dorian Kale 5%) të themeluar në gusht 2016. Emrat e dy biznesmenëve përmenden gjithashtu me një ndërtim 11-katëshnë rrugën e Kavajës në Tiranë, që po ndërtohet nga firma “Arlis-Ndërtim shpk”.
Rasti i këtyre biznesmenëve të cilët nga hidrokarburet kalojnë në sektorë të ndërtimit apo hidroenergjitikës, është vetëm një nga rastet e shumta ku dje ndërtues pallatesh, kthehen sot në ndërtues hidrocentralesh. Pikërisht problematikat e sektorëve të tjerë, reflektohen hapur në sektorin e hidroenergjitikës, si problemet me pronën, burime të dyshimta të ardhurash, korrupsion për lejet etj. Këto problematika u thane në fund të muajit janar se do të shqyrtoheshin me 440 hidroecentralet që u pezulluan. Rasti i Bulqizës tregon se pezullimi ishte farsë.