Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me në krye Voltana Ademin, kryebashkiaken e Shkodrës, i kërkon Presidentit Meta të mos dekretojë ligjin për shembjen e Teatrit, pasi shkel autonominë e pushtetit vendor.
Me anë të një letre, shoqata argumenton se ligji që ka votuar kuvendi më 5 korrik dhe që lejon shembjen e Teatrit për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullave, duhet të kishte kaluar në Këshillin Bashkiak Tiranë pasi prona publike për të cilën bëhet fjalë në ligj i përket Bashkisë Tiranë:
“Ligji organik i vetëqeverisjes vendore u njeh bashkive të drejtën për të administruar prona publike, madje dhe të drejtën për t’i përdorur dhe tjetërsuar ato gjithnjë në të mirë të interesit publik. Po ky ligj, rregullon më tej dhe të drejtën e Këshillit të Bashkisë, që, me jo me pak së tre të pestat e tij, mund të vendosë për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme.
Miratimi i kontratës nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë shënon një kapërcim të juridiksionit lëndor të pushtetit vendor nga ana e Qeverisë dhe më tej Kuvendit, duke shkelur parime të autonomisë vendore të sanksionuara në legjislacionin shqiptar dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara.
Shoqata e Bashkive është e shqetësuar për ndërhyrjen e pushtetit qendor në kompetencat e qeverisjes vendore. Qeveria, me fuqinë dhe mekanizmat e saj, po krijon precedentë të rrezikshëm, duke ndërhyrë, imponuar për interesa të saj në vendimarrjen e qeverisjes vendore, këshillave bashkiak dhe komunitetit.
Rasti i ligjit 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” është sot dhe mund të bëhet nesër model i keq edhe në bashki të tjera të Shqipërisë.”
Në letër, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ngre dhe shqetësimin për mosrespetimin e rregullave për prokurimin publik, Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), që përbën kuadrin rregullues ndërmjet vendit tonë dhe BE-së.
Pak ditë më parë dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i kërkoi zyrtarisht presidentit Meta të mos e dekretojë ligjin që lejon shembjen e teatrit dhe lejon kompaninë Fusha të ndërtojë një kompleks kullash në pronën publike.