Shoqata e Infemierëve ka dënuar aktin e sanitares të Shefqet Ndroqit, e cila i mori një shumë parash vajzës së një pacienteje duke u hequr si infermiere.
Në një deklaratë publike, Shoqata distancohet nga veprimi i sanitares Tire Alldervishaj.
“Shoqata e Infermierëve i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Prokurorisë dhe çdo institucioni përgjegjës që të hetojë rastin deri në fund duke nxjerr të gjithë të përfshirët në këtë rast korruptiv me pasojë vdekjen e pacientes.
Shoqata e Infermierëve distancohet nga çdo lloj rasti të tillë ku profesionistë janë të përfshirë në afera të tilla, por qëndron fort në krah të çdo profesionisti të ndershëm që mundohen që nën emrin e tyre apo të infermierëve të përbaltin figurën dhe punën e infermierëve që në çdo kohë janë të parët në frontin e parë për t’u shërbyer pacientëve dhe jo politikës, shefave, koordinatorëve, administratorëve apo kryeinfermierëve. “
Sanitarja Alldervishaj u la në burg nga gjykata të enjten, pasi akuzohet për mashtrim.
Mbrëmjen e 12 janarit në emisionin Stop u raportua se sanitarja Tire Alldervishaj ka mashtruar duke u hequr si infermiere dhe i ka marrë familjes së pacientes rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet brenda në spital. Menjëherë pas lajmit, ministria ka dënuar aktin dhe kërkon shkarkimin e sanitares.
Mëngjesin e së mërkurës, sanitarja u arrestua.
Vajza e pacientes ka denoncuar sanitaren dhe ka dorëzuar në prokurori bisedat me sanitaren për paratë e marra.
Sipas bisedave, sanitarja i kërkonte para vajzës për t’ia shpërndarë mjekëve dhe infermierëve që kujdeseshin për pacienten. Po ashtu sanitarja kërkonte ushqim, ujë dhe mjete të tjera që duhet të mundësoheshin nga spitali, si termometër dhe pampersa.
Paraditen e së mërkurës, spitali Covid2 kërkoi hetim të plotë ndaj sanitares dhe u distancua nga veprimet e saj. Spitali theksoi se ‘ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor’.