Shoqatat e gazetarëve, shoqëria civile, partnerët e huaj heshtin për mbylljen e programeve kritike ndaj qeverisë

Nga Alba Mborja
Shoqatat e gazetarëve, shoqëria civile, partnerët e huaj heshtin për mbylljen e programeve kritike ndaj qeverisë

Mbyllja e programeve “Të Paekspozuarit” nga Ylli Rakipi dhe “A Show” nga Adi Krasta u pritën me shqetësim dhe me reagime të ashpra kritike ndaj qeverisë shqiptare nga Këshilli i Evropës dhe nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias.

Asnjë shoqatë gazetarësh apo organizatë e të ashtuquajturës shoqëri civile në Shqipëri nuk ka reaguar ndaj lajmit. Kjo ka ndodhur pavarësisht interesit të lartë të publikut dhe pavarësisht se rasti duket se përbën censurim të medias dhe të zërave kritikë ndaj pushtetit.

Asnjëra nga ambasadat në Shqipëri, as Delegacioni i BE-së dhe as OSBE-ja, të cilat financojnë shumë të mëdha për organizatat shqiptare për forcimin e demokracisë dhe të lirisë së shtypit, nuk ka reaguar për mbylljen e këtyre programeve dhe ndërprerjen e kontratave me gazetarët.

Mediat më të mëdha në vend nuk e kanë pasqyruar fare si lajm mbylljen e këtyre programeve. Në faqet online të televizioneve Top Channel, Klan dhe News24 nuk gjendet asnjë fjalë për këtë fakt.

Lajmi dhe diskutimet për të kanë mbetur në pak portale online dhe në mediat sociale.

Ilir Demalia, një ndër pak zërat që kanë reaguar ndaj çështjes, në një kontekst më të gjerë e konsideron rastin e fundit si rezultat të mungesës së përhershme të lirisë së shtypit në Shqipëri.

Në një postim në Facebook, ai shkruan se mediat, bashkë me pluralizmin politik, janë krijuar si një “mision i kapur” dhe kjo ka mbetur e pandryshuar në tre dekadat e fundit.

Gazetarët e shtypit komunist, përfshi bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, hapën mediat e para dhe përcaktuan dhe kontrolluan debatin publik.

Në një hap të dytë, individë pa lidhje me gazetarinë blenë ose hapën media të tjera (gazeta dhe televizione), me qëllimin për t’i bërë presion qeverive për të arritur përfitime për bizneset e tjera të tyre.

Demalia shkruan se të njëjtët persona që propaganduan ideologjinë komuniste, tashmë janë të gatshëm të shiten në tregun kapitalist. Si rezultat, gazetat dhe televizionet në Shqipëri nuk kanë një linjë të qëndrueshme editoriale, ideologjike, politike apo ekonomike.

Kapja e plotë e mediave më të mëdha nga Kryeministri Edi Rama, duke i blerë me favore apo duke ushtruar trysni nga qeveria, është vetëm rezultat i natyrshëm i vijimësisë së medias në këto tre dekada, sipas tij.

Demaliaj vlerëson se formimi i medias si pushtet i katërt kërkon një “veting” për pronat e gazetarëve dhe të pronarëve të mediave.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>