Deutsche Welle — Prej fundit të vitit 2016 qeveria gjermane po e ndihmon qeverinë shqiptare për ndërtimin e një strategjie për mbetjet e ngurta. Këshillimet bëhen përmes Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Hermann Plumm, drejtor i projektit pranë GIZ-it, thotë, se e sheh me pozitivitet rritjen e vëmendjes nga organizatat jofitimprurëse, qytetarët dhe qeveria shqiptare. Qeveria shqiptare ka vendosur të investojë për herë të parë një shumë shumë të madhe parash, rreth 200 milionë euro, që do të përdoren në dhënien e koncesioneve për ndërtimin dhe funksionimin e incerenatorve. Nga ana tjetër, sipas Plumm, është e nevojshme të ndërtohen landfille më moderne për mbetjet inerte, ato urbane dhe përmirësim të sistemit të grumbullimit.
Mungesë e theksuar ndërgjegjeje për mjedisin
Sipas Plumm “mbi të gjitha është e nevojshme të nisë diferencimi i mbetjeve që në shtëpi. Gjë e cila faktikisht kërkohet nga ligji që qytetet e vogla ta realizojnë deri në vitin 2018 dhe qytetet e medha duhet ta kishin realizuar deri në fund të vitit 2016, por asnjë qytet nuk po e bën këtë gjë. Dhe një problem tjetër është që shumë njerëz kanë një mungesë të theksuar ndërgjegjësimi për mjedisin. Ne shohim njerëzit që kanë vese të të hedhurit mbeturina nga makinat ose nga shtëpitë e tyre, të cilat përfundojnë në rrugë dhe askush nuk thotë: edhe unë jam pjesë e ketij problemi, edhe unë jam përgjegjës për zonat publike.”
Qeveria nuk ka qasje sitematike për problemin e mbeturinave
A po ndjek qeveria shqiptare strategjinë e duhur në menaxhimin e mbetjeve në territorin shqiptar? Sipas Plumm “nuk ka një qasje sitematike për këtë problem. Nga njëra anë kemi investime të mëdha që vijnë nga qeveria dhe nga ana tjetër ka qytete si Kamza, Rrogozhina, Lushnja që lexon në shtyp se njerëzit protestojnë kundër hedhjeve të mbeturinave pa kriter, që njerëzit djegin mbeturinat, madje duket se edhe grumbulluesit e autorizuar nga bashkitë hedhin mbetjet në lumenj ose skandalet me mbetejet spitalore që kemi pasur së fundmi.”
Në pikëpyetje është në këtë mes sistemi monitorues, sepse kompanitë që janë të licensuara nuk po i trajtojnë mbetjet toksike në mënyrën që ato duhet të trajtohen, por i hedhin buzë lumejeve. “Kjo është një shenjë shumë e keqe. Unë mendoj se qasja e qeverisë duhet të përqëndrohet dhe të jetë më sistematike për të krijuar një sistem nga a-zh dhe jo një sistem që zgjidh diçka këtu dhe në anën tjetër ku nuk po ndodh asgjë.
Në shumë bashki përshmbull ka nevojë urgjente për gjëra elementare, ndërkohë që ne flasim për incerenatorët. Por në një sistem ku nuk ekziston diferencimi fillestar i mbetjeve inceneratorët nuk mund të punojnë kurrë në mënyre ekonomike”, thotë për DW, Hermann Plumm.
Investimet më të mëdha shkojnë në pikat që kanë më pak prioritet
Po cila është zgjidhja e duhur për të patur një mjedis sa më të pastër? Sipas Hermann Plumm incenrimi, që kthen mbetjet në energji, është zgjidhja e fundit. “Para së gjithash duhet të reduktojmë nivelin e mbetjeve, pastaj vjen ripërdorimi, pastaj riciklimi dhe në fund të gjithë mundësive, në fund të kësaj hierarkie, vjen incenrimi, që kthen mbetjet në energji. Ne si GIZ dhe shumë donatorë të tjerë në Shqipëri do të dëshironim të mbështesnin qeverinë dhe bashkitë që të krijojnë një sistem që fillon nga fillimi dhe jo nga fundi i hierariksë. Dhe ky është ligj në Shqipëri. Strategjia ekzistuese mbi mbetjet e ngurta në Shqipëri parashikon këtë hierarki, që do të thotë prioritet. Por fatkeqësisht më duhet të them që investimet më të mëdha po shkojnë në pikat që kanë më pak prioritet.”