Shqipëria dëbon një diplomat rus për shkelje të masave kundër COVID-19

Nga Exit News
Shqipëria dëbon një diplomat rus për shkelje të masave kundër COVID-19

Qeveria ka shpallur si person të padëshirueshëm, një diplomat rus në Tiranë për shkelje të përsëritur të masave kundër COVID-19.

Personi në fjalë i ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme rregullat prej prillit të vitit 2020, thotë ministria e Jashtme në një njoftim për shtyp.

Pasi autoritetet kanë kontaktuar me ambasadorin rus në Tiranë, Mihail Afanasiev, kanë marrë prej tij premtimin se shkeljet nuk do të përsëriteshin por ka ndodhur e kundërta.

“Fatkeqësisht, ndryshe nga premtimet, diplomati ka vijuar me shkeljen e masave, pavarësisht shprehjes së dëshirës së mirë të të dyja palëve për mos përsëritjen e shkeljeve. Sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë, dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej.”

Punonjësi i ambasadës ruse duhet të largohet brenda 72 orëve nga Shqipëria ndërsa ministria e Jashtme kërkon mirëkuptim nga pala ruse

“Sigurojmë palën ruse për ndjenjat tona miqësore dhe për gatishmërinë tonë, në vijim të punës së mirë të nisur, për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.”

Kjo ngjarje vjen rreth 1 muaj pas incidentit që kryeministri Rama pati me ambasadën ruse, të cilën e akuzoi për provokim kur me anë të një postimi në rrjetet sociale ata ofruan vaksinën Sputnik V për Shqipërinë.

Rama tha se po mirëpret dhe një ndjesë nga ana e ambasadës për këtë incident por në përgjigjen e tyre ata theksuan se ftesa nuk kishte qëllime provokuese.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>