Shqipëria firmosi të mërkurën marrëveshje të re me Frontex, pas përfundimit të marrëveshjes së 2019.
Në ceremoni ishin të pranishëm drejtori i Policisë Ardi Veliu, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca dhe drejtuesja e Ballkanit Perëndimor Genoveva Ruiz Calavera
Në fjalën e tij drejtori i Policisë Ardi Veliu tha se bashkëpunimi i Shqipërisë me Frontex ka qenë “një histori suksesi”.
“Bazuar në këto suksese dhe arritje, si dhe duke vlerësuar përvojën e deritanishme, kemi vendosur bashkërisht për nënshkrimin e Marrëveshjes së re të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe FRONTEX-it”, tha Veliu.
Ai nënvizoi disa arritje nga marrëveshja e 2019:
- kapjen e imigrantëve të parregullt në pikat e hyrjes
- përmirësimin e treguesve në drejtim të identifikimit të dokumenteve të falsifikuara
- të mjeteve të transportit me numra shasie të manipuluara
- eficiencën më të lartë të veprimeve operacionale me Frontex-in dhe vendet e rajonit
- në forcimin dhe përmirësimin e kapaciteteve të rojës tonë kufitare
Ambasadori Lugii Soreca përshëndeti marrëveshjen në Twitter dhe u shpreh se BE do të ofrojë një shumë prej 6 milionë eurosh për projektin “BE për Shqipërinë e sigurt”.
Projekti synon specializimin e Policisë së Shtetit me qëllim për të luftuar krimin e organizuar ndërkufitar.
Calavera shkroi në Twitter se ndjehet e “kënaqur që mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve të rinovuara të Frontex-Albania”. Ajo i shprehur urimet Shqipërisë për këtë marrëveshje.
Shqipëria u bë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që nënshkroi me Bashkimin Europian në vitin 2019, Marrëveshjen e Statusit për operacionet e Frontex-it.
Marrëveshja ka për qëllim menaxhimin e kufijve në kuadër të përballimit të fenomenit të emigracionit.
Por Frontex është akuzuar për deportimin e paligjshëm të refugjatëve dhe emigrantëve në Greqi.
Në tetor, Exit intervistoi një individ të përfshirë në transportimin e emigrantëve nga Greqia në Tiranë për të arritur më pas në një nga vendet e BE. Ai i tha Exit se “ata që janë kapur në Shqipëri intervistohen nga policia, pastaj merren përsëri dhe dërgohen në kufirin grek”. Ai shtoi se ata që kthehen prapa, provojnë përsëri dhe shpesh kthehen në Shqipëri 24 orë më vonë.
Policia e Shtetit, Policia Kufitare dhe Ministria e Brendshme nuk kanë pranuar t’i përgjigjen kërkesës për informacion mbi numrin e emigrantëve të kapur vitin e fundit, çfarë ndodh me ta dhe sa u përpoqën të aplikonin për azil.
Zyra europiane kundër korrupsionit (OLAF) ka nisur hetimet ndaj Frontex për akuzat e ngacmimeve seksuale, keqtrajtim dhe kthim të paligjshëm të emigrantëve, sipas disa zyrtarëve.
Në tetor 2020, disa media, përfshirë Der Spiegel publikuan raporte që pretendonin përfshirjen e Frontex në operacionet e kthimit në kufirin detar Greko-Turk, duke pretenduar se refugjatët dhe emigrantët po dëboheshin nga ujërat e BE. Shtypje të tilla shkelin ligjin ndërkombëtar dhe OLAF po heton nëse procedurat e brendshme të Frontex janë shkelur.