Shqipëria merr borxh 30 respiratorë nga Danimarka për spitalet Covid

Nga Exit News
Shqipëria merr borxh 30 respiratorë nga Danimarka për spitalet Covid

Qeveria daneze i ka dhënë hua Shqipërisë 30 respiratorë për të trajtuar pacientët me Covid-19.

Sipas mediave daneze, Ministria e Jashtme daneze ka njoftuar se respiratorët do t’i jepen për përdorim të përkohshëm Shqipërisë, pasi në Danimarkë për momentin nuk janë të nevojshëm.

Vendimi i qeverisë u mor pas konsultimeve me task-forcën që po monitoron ecurinë e pandemisë në Danimarkë.

Respiratorët janë të markës ChenWei dhe janë në përputhje me direktivat e BE-së.

Në dy spitalet Covid në Tiranë po kurohen aktualisht 210 pacientë me koronavirus, prej të cilëve 17 janë në terapi intensive dhe 8 janë të intubuar. Numri i të shtruarve është më i lartë pasi në spitale po trajtohen dhe ata pacientë që janë negativizuar nga Covidi por vuajnë ende pasojat, si dhe ata që rezultojnë negativ në testime por vuajnë nga probleme të mushkërive shkaktuar nga Covid.

Spitali Shefqet Ndroqi, Covid 2 ka shprehur disa herë nevojën për respiratorë. Thirrjes së mjekëve i janë përgjigjur ish-deputeti dhe sipërmarrësi Agron Shehaj dhe aktorja shqiptare Zhaklina Dhimojani.

Ndërkohë qeveria shqiptare ka nisur që në prill procedurat për blerjen e 54 respiratorëve, por ende nuk dihet se sa prej tyre kanë mbërritur realisht në Shqipëri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>