Shqipëria nis grupin e dytë me 60 infermierë drejt Italisë

Nga Exit News
Shqipëria nis grupin e dytë me 60 infermierë drejt Italisë

Gjashtëdhjetë infermierë shqiptarë u nisën pasditen e së hënës drejt Italisë për të ndihmuar me situatën e epidemisë së Covid-19 atje.

Bashkë me 30 mjekë të dërguar në fund të marsit shkon në 90 totali i punonjësve të shëndetësisë shqiptare të dërguar përtej Adriatikut në një situatë kur edhe Shqipëria është prej 2 muajsh nën epidemi.

Mjekët u përcollën në aeroportin e Rinasit nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Ambasadori italian, Fabrizio Bucci.

Manastirliu pohoi se njëjtë si grupi i parë, edhe grupi i dytë i mjekëve do të shërbejnë në zonën më të prekur nga COVID-19 të Italisë, rajonin e veriut.

Ajo e konsideroi si gjest solidariteti për një vend mik ndaj Shqipërisë dhe i siguroi mjekët se do të kujdesen për familjet e tyre njësoj si për grupin e parë, që pritet të kthehet së shpejti.

Ambasadori Bucci shprehu falenderim dhe mirënjohje për Shqipërinë për solidaritetin e treguar.

Përmes një postimi në Twitter, Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio e vlerësoi ndihmën si mbështetje e afërt e një vendi mik.

Më 28 mars qeveria dërgoi 30 mjekë në rajonin e Lombardisë. Dërgimi i tyre u komentua shumë në Itali, ku qeveria përveç falenderimeve ndaj Shqipërisë, e përdori dhe për të rritur presionin për më shumë ndihma ndaj Bashkimit Europian.

Prej nisjes së epidemisë së Covid-19 në Itali janë diagnostikuar 179 mijë njerëz me koronavirus, rreth 24 mijë prej të cilëve kanë vdekur, gjysma në rajonin e Lombardisë në veri. Në bilancin tragjik bëjnë pjesë edhe 140 mjekë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>