Shqipëria, Pakistani dhe Kenia kanë përkujtuar 5-vjetorin e tentativës për grusht shteti në Turqi, e cila shkaktoi 251 viktima.
Në Shqipëri, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe Ambasadori i Turqisë Murat Ahmet Yoruk mbollën 251 pemë të dhuruara nga Turqia në zonën e Astirit, në shenjë solidariteti me viktimat e tentativës për grusht shteti.
Në mesazhin e tij publik ditën e mërkurë, Veliaj theksoi investimet e bashkisë në zonën e Astirit, sidomos për rritjen e gjelbërimit. Ai tha se pemët u mbollën “në përkujtim të 15 Korrikut, një datë e rëndësishme për lirinë dhe demokracinë turke”, por nuk sqaroi se çfarë është kjo ditë dhe pse është e rëndësishme për Turqinë, për Shqipërinë, apo për Tiranën.
Ambasada organizoi edhe një ceremoni përkujtimore të enjten te memoriali i ngritur në Tiranë për përkujtimin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Memoriali i ngritur në 2019, pa lajmërin publik, pak ditë pas njërës nga vizitat e Kryeministrit Edi Rama te Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ngjalli debate në Shqipëri.
Një pjesë e shoqërisë civile thanë se ngjarja e dhimbshme që përkujtohej në të nuk kishte lidhje me Shqipërinë dhe se e vërteta mbi të ishte manipuluar nga shteti turk dhe përdorej për qëllime politike.
Ngjarja u përkujtua edhe në Pakistan, presidenti i të cilit i dërgoi një mesazh presidentit turk.
Ambasada e Turqisë në Kenia, gjithashtu, zhvilloi një ceremoni përkujtimore.
Tentativa për grusht shteti në Turqi ndodhi në datën 15 korrik 2016. Pjesë të ushtrisë turke tentuan të rrëzojnë qeverinë dhe Presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Në përplasjet e armatosura gjatë dy ditëve në vijim mes një pjese të ushtrisë, nga njëra anë, dhe pjesëve të tjera të saj dhe popullit nga ana tjetër, mbetën të vrarë 251 persona.
Shteti turk fajësoi lëvizjen fetare të njohur si Hizmet, të drejtuar nga kleriku Fethullah Gulen, i cili jeton në SHBA që prej 1999.
Lëvizja Hizmet, e përqendruar në arsim, hapi shkolla në më tepër se gjysmën e vendeve të botës, kryesisht gjatë kohës së pushtetit të Erdoganit. Lëvizja dhe Erdogani e mbështetën njëri-tjetrin për shumë vite.
Krisja mes tyre ndodhi kur mbështetës të supozuar të lëvizjes, kryesisht ata në sistemin e drejtësisë, nisën denoncime për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë të partisë së Erdoganit, përfshi familjen e tij.
Marrëdhëniet mes dy palëve u përkeqësuan deri në tentativën për grusht shteti. Guleni vetë, në emër të Lëvizjes Hizmet i ka mohuar me forcë akuzat për përfshirje në grushtin e shtetit. Megjithatë, Erdogani u betua ta zhdukë këtë lëvizje pas kësaj tentative.
Turqia e deklaroi atë organizatë terroriste, burgosi dhe hoqi nga puna qindra mijëra mbështetës së saj, mbylli qindra media. Organizatat ndërkombëtare dhe shumë shtete perëndimore e kritikuan Turqinë për shkelje të të drejtave të njeriut në dënimet dhe torturat ndaj mijëra personave.
Turqia ka qenë e sukseshme në mbylljen e shkollave të Hizmetit në shumë vende të varfra në botë. Ajo ka arritur të ekstardojë nga këto vende shumë drejtues të organizatave të kësaj lëvizjeje dhe mësues drejt Turqisë, për t’i gjykuar dhe burgosur.
Shërbimet sekrete turke në bashkëpunim me ato kosovare, rrëmbyen 5 mësues nga Kosovo dhe i ekstraduan drejt Turqisë në 2018, në shkelje të plotë të ligjeve të Kosovës. Qeveria shqiptare ekstradoi drejt Turqisë një mbështetës të kësaj lëvizjeje në mënyrë të paligjshme në 1 janar 2020, ditë pushimi, megjithëse kishte kërkuar azil.
Një shkollë e lëvizjes u mbyll në Shqipëri, zyrtarisht sepse falimentoi. Shkollat e tjera dhe një universitet kaluan në pronësinë e një kompanie me seli në Holandë, me sa duket të trembur nga veprimet e mundshme të qeverisë shqiptare.
Turqia i bën vazhdimisht presion qeverisë në Tiranë për ta zhdukur këtë lëvizje nga vendi. Të dyja vendet dhe liderët e tyre, Rama dhe Erdogan, kanë marrëdhënie shumë të mira.