Pacientët me koronavirus trajtohet sipas protokolleve ndërkombëtare, në dy spitalet Covid 1 dhe Covid 2.
“Ne kemi gjithçka që është në botë. Së fundmi edhe Remdesevirin që jo vetëm ka ardhur por edhe po përdoret. Është ende herët. Ne nuk e kemi provuar. Janë duke e marrë pacientet jo duke abuzuar por falas, sikurse janë ofruar të gjitha barnat e tjerë që marrin pacientët. Çfarë është e shkruar ne e përdorim atëherë kur duhet”, tha Shefja e Infektivit Najada Çomo, gjatë inagurimit të spitalit Covid 3, të hënën.
Të njëjtën gjë ka thënë edhe më parë mjeku pneumolog i spitalit Covid 2, për emisionin ‘Me pak Fjalë’:
“Jemi në trajtimin mjekësor të covid-it njësoj me 98 për qind të spitaleve të Covid-19 në botë sepse bëjmë suportin me antibiotikë, suportin me oksigjenim, me ventilimin invaziv ose joinvaziv, për antikoagulim – kritere këto të përcaktuara qartë.
Spitalet e tjera, 2 për qind, bëjnë kërkime shkencore, vetëm ato kanë trajtime të veçanta si remdesiviri ose preparate të tjera, që për momentin janë eksperimentale.”