Shqipëria si Afrika: as treg të lirë dhe as prodhim

Nga Bildo
Shqipëria si Afrika: as treg të lirë dhe as prodhim

Duke analizuar të dhënat e publikuara në media mbi të ardhurat vjetore të vitit 2014 të 100 shoqërive tregtare më të mëdha në vend (SH100), vihet re diçka shqetësuese: 25 vjet pas rënies së komunizmit, nga 100 sipërmarrjet më të mëdha të vendit vetëm 20 prej tyre veprojnë në një treg relativisht të lirë. 80 shoqëritë e tjera janë ose shoqëri të kontrolluara nga shteti (7); ose shoqëri private që veprojnë në regjim konçesionar (19); ose shoqëri private kontraktore të këtyre të fundit (8); ose shoqëri kontraktore të shtetit (8); ose shoqëri të varura nga liçensa të veçanta që jepen nga shteti (38), si banka, lojëra fati, shoqëri farmaceutike ose ndërtime.

Në 20 sipërmarrjet që veprojnë në regjim jo të kushtëzuar nga shteti, 8 janë ndërmarrje të importit të produkteve të konsumit, 2 janë sipërmarrje call-center dhe 2 janë ndërmarje në fushën e teknologjisë së informacionit. 8 shoqëritë e tjera janë shoqëritë e vetme të prodhimit industrial, mes 100 shoqërive më të mëdha të vendit.

Këto 8 sipërmarrje prodhuese realizojnë së bashku vetëm 5 për qind të të ardhurave totale të të gjithë grupit SH100 ose më pak se gjysma e të ardhurave të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), banka më e madhe në vend, me më shumë se gjashtë miliardë lekë të ardhura në vit. Nga 8 sipërmarrjet prodhuese vetëm dy janë shqiptare, ndërsa në SH100 janë 62 shoqëri shqiptare (me të paktën gjysmën e kapitalit), 7 amerikane, 5 italiane, 5 turke, 3 gjermane, 3 austriake, 3 greke, 3 të ish jugosllavisë, 2 franceze, 2 britanike dhe të tjerat nga vende të ndryshme dhe parajsa fiskale.

Këto të dhëna tregojnë një strukturë ekonomike që është tipike e vendeve më të pazhvilluara afrikane: mbështetje totale tek importet, shfrytëzim i burimeve natyrore dhe eksportimi i mineraleve të papërpunuara, situatë monopoli dhe oligopoli në shumë sektorë, sektor primitiv financiar, industri të zhvilluar bixhozi, të gjitha të dominuar nga një qeveri arbitrare që është përcaktuesja kryesore e fituesve dhe humbësve në treg, në bazë të një qasje klienteliste.

Një tjetër fakt domethënës është ai që në sektorët dhe veprimtaritë e kontrolluara nga qeveria, përmes liçencave ose konçesioneve, norma e kthimit të investimit është ndjeshëm më e lartë se mesatarja, ndërsa për rrjedhojë kthimi i investimit në sektorët me konkurencë të lirë është më i ulët se mesatarja. Mesatarja e fitimit të grupit SH100 është pak më e lartë se 11 përqind, duke lëvizur nga 3-4 për qind kryesisht tek shoqëritë që operojnë në kushtet e konkurencës së lirë deri në 30 për qind për ato që operojnë praktikisht si monopole me liçensa qeveritare.

Në këto kushte është e qartë që sipërmarrjet do të investojnë gjithnjë e më shumë në aktivitete jo prodhuese që operojnë në tregun e përcaktuar nga qeveria dhe jo nga konkurenca e lirë. Mbi të gjitha, ato do të investojnë më shumë në kultivimin e marrëdhënieve klienteliste me qeveritarët se sa në produkte e shërbime më të mira e më të lira.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>