Pjesën më të madhe të fitimeve shqiptarët e shpenzojnë për të blerë ushqime. Sipas agjencisë evropiane të statistikave Eurostat, shqiptarët zënë vendin e parë në Evropë për shpenzimet më të larta për ushqime, me afro një të tretën e ekonomisë vjetore që harxhohet vetëm për të ngrënë, raporton Revista Monitor. Shpenzimet e shqiptarëve për ushqime në krahasim me fitimet e tyre janë mbi pesë herë më të larta se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Pavarësisht se pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre shkon për të ngrënë, shqiptarët shpenzojnë shumë më pak të holla se evropianët për t’u ushqyer– përllogaritje që nxjerrin në pah kequshqyerjen e tyre. Ndërkohë që të ardhurat mesatare të shqiptarëve janë sa një e treta e mesatares evropiane, ata shpenzojnë 1,248 euro në vit për të ngrënë, ndërsa mesatarja evropiane është 1,800 euro.
Shqiptarët zënë vendin e parë në Evropë edhe për shpenzimet për bukë dhe drithëra. Përkeqësim vërehet edhe në krahasim me 10 vite më parë, kohë kur shqiptarët shpenzonin më pak për të blerë bukën. Niveli i konsumit të bukës është tregues i varfërisë dhe kequshqyerjes.
Sipas përllogaritjeve për vitet 2016 dhe 2017, 31 për qind e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) shqiptarët e shpenzojnë për ushqime, duke lënë pas të gjitha vendet e tjera në Evropë. Evropianët shpenzojnë mesatarisht 6 për qind të PBB-së në raport me prodhimin e ekonomive të tyre në një vit.
Shpenzimet e disa vendeve evropiane për ushqime janë shumë të ulëta në raport me të ardhurat, p.sh. 2.6 për qind në Luksenburg dhe 2.7 për qind në Irlandë. Vendi i Bashkimit Evropian me shpenzimet më të larta për ushqimin është Rumania, por sërish me vetëm gjysmën e nivelit të Shqipërisë– 15.8 për qind të PBB-së.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria mbetet shumë mbrapa edhe në krahasim me vendet e rajonit: Serbia 15.6 për qind, Maqedonia 18.9 përqind, Turqia 19.7 për qind, Bosnja dhe Mali i Zi 23-24 për qind. Vetëm Kosova i afrohet Shqipërisë, por sërish në nivel më të mirë, me 29.2 për qind shpenzime nga të ardhurat për t’u ushqyer.