Dekreti i Presidentit të Republikës për rikthimin e ligjit të shembjes së Teatrit në Parlament i dha lëvizjes për mbrojtjen e godinës, Partisë Demokratike dhe në veçanti ekspertëve që vunë theksin tek antikushtetutshëmria e ligjit, një argument të fortë për luftën politike të shtatorit. Kjo kthesë e beftë politico-institucionale shënon një nga momentumet më interesante këto vitet e fundit. Erion Veliaj, frontmeni i propagandës rilindase ka përballë sfidën më të vështirë si kryebashkiak, një sfidë që do të vendosë të ardhmen e tij brenda Partisë Socialiste. Për Ramën, çështja e Teatrit dhe mënyra se si kjo e fundit do të mbyllet është klimaksi i një përçapjeje 15-vjeçare për ndryshimin rrënjësor të qendrës historike të Tiranës dhe destinacionit ekonomik që kjo qendër do të marrë pas ngritjes së kullave. Shtatori është muaji kur vendoset rrjedha politike e mandatit të dytë qeverisës.
Qeveria dhe Partia Socialiste janë rreshtuar qartazi në anën e projektit për një Teatër të ri Kombëtar. Më shumë se një dekadë më parë ishte Fatos Nano i cili ndaloi duon revanike Rama-Meta për prishjen e Teatrit. Lidhjet e tij brenda Partisë Socialiste, si dhe një empati e veçantë ndaj artistëve me të cilët ai kujtonte vitet e drekave dhe darkave në kohën e regjimit komunist e bëri atë t´i jepte fund një debati që kishte muaj që vlonte në qarqet politike të kohës. 15 vite më pas Fatos Nano është tërhequr nga politika, Meta është bërë President, ndërsa Edi Rama shfaqet më i pushtetshëm se kurre brenda Partisë, ashtu si dhe jashtë saj. Ristrukturimi rrënjësor i viteve 2005-2013, sapstrimi i senatorëve të vjetër të partisë, si dhe një ekip i ri opozitar e më pas qeverisës e bën Ramën të pakundërshueshëm dhe të paprekshëm nga lojrat politike brenda llojit . I vetmi që guxoi të kundërshtonte hapur prishjen e Teatrit duke mos votuar në seancën plenare ishte Pandeli Majko, një senator që shpëtoi nga spastrimet brenda partisë për shkak të peshës thuajse të papërfillshme brenda saj. Shtatori do e gjejë Qeverinë dhe Partinë në vazhdimin e një beteje nervash e pse jo dhe konfrontimi fizik me Opozitën që si rrallëherë më parë është njëjtësuar plotësisht me lëvizjen qytetare.
Lëvizja Socialiste për Integrim ëshë shprehur haptazi kundër projektit për një godinë të re. Vendimi i Presidentit Meta duket se i dha fund detyrës së saj politike për ta ndalur me çdo gjë që është e mundur implementimin e projektit. E paaftë për të sjellë një masë kritike njerëzisht në rrugë dhe sheshe, efektiviteti i kësaj Partie qëndron te numrat që ka në Parlament, themeluesin e saj që fle në Presidencë dhe ata pak militantë që i kanë mbetur në administratën shtetërore. Teksa grupi i këshilltarëve tkurret vazhdimisht prej finokërisë politike të Kryetarit të bashkisë, grupi parlamentar me në krye Petrit Vasilin, përvec Robert Bitrit që dezertoi qysh herët në kampin kundërshtar, u shfaq kompakt ditën kur ligji u kaluar me shumice absolute në Kuvend. Shtatori do e gjejë LSI-në në pritje të përfundimit të tangos politike mes dy partive të mëdha.
Pesha kryesore e këtij shtatori politik i takon Partisë Demokratike. Ashtu si 27 vjet më parë, kësaj partie i duhet të përballet me një formacion politik që ka unifikuar partinë më aparatin shtetëror. Ngjasimi bëhet akoma dhe më i frikshëm kur merr parasysh se rruga politike e ajo juridike shterruan me rikthimin e ligjit në Kuvend nga ana e Presidentit.Vizioni perëndimor i Lulzim Bashës kërkon që çdo shteg i mundshëm poltik a juridik të ndiqet deri në fund dhe me sa duket e njëjta skeme po ndiqet edhe me kauzën e Teatrit. Por shtatori duket se po i privon palët e sidomos Partinë Demokratike nga korrektesa politike e institucionale. Përballë një force të verbër që ngërcin juridik e përdor për synime politike, ëdo manovër konvencionale e legjitimon atë dhe i jep më shumë hapësirë për të vazhduar rrugën e saj të paligjshmërisë. Detyra e juristëve mbaroi me vendimin e Presidentit. Pas kësaj fillon përkthimi i sensibilizimit popullor në rrugë, atje ku demokracia fitohet kur institucionet mbyllin dyert. Kjo detyrë i takon për fat politikës.
Unë besoj fort që një krizë politike me zanafillën në shtator mund ta nxjerrë vendin nga jermi ku ndodhet sot. Konsistenca është ajo çka mund ta shpëtoje Teatrin nga kthetrat e oligarkëve. Mungesa e saj çon jo vetëm në humbjen e një objekti me vlera historike, por edhe vrasjes përfundimtare të besimit që njerëzit kanë te opozita e vendit. Një shkëputje e tille do të jetë fatale për PD-në. Vakumi i kësaj shkëputjeje nuk mund të jetë veçse tragjik për demokracinë në vend.