Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për në shtator 2020 seancën për Emiljano Shullazin dhe 4 të arrestuar si anëtarë të bandës së tij.
Seanca e parashikuar për tu zhvilluar të hënën, 27 korrik, është shtyrë pasi kanë munguar avokatët mbrojtës.
Në vitin 2018 Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmand Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela u dënuan me 55 vite burg – 14 vite vetëm për Emiljano Shullazin – me akuzat: grup i strukturuar kriminal, shkatërrim pronash me eksploziv, marrje prone nën kërcënim dhe dhunë ndaj biznesmenëve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Kërcuku.
Çështja është apeluar dhe prej janarit 2019 grupi mbetet në paraburgim. Procesi është shtyrë vazhdimisht prej rreth 20 seancash. Më herët në shtator 2019, për mungesë provash, prokuroria u tërhoq nga akuzat për pastrim parash.