Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka shtyrë seancën e parë të gjykimit për çështjen e bandës së heroinës në Has, pjesë e së cilës janë dhe vëllezërit Avdyli të bandës së Shijakut.
Sipas medias, seanca u shty me kërkesë të një prej avokatëve të të akuzuarve.
SPAK mbylli hetimet për këtë rast në janar 2020 dhe dërgoi në gjykatë 19 të akuzuar.
Mes të arrestuarve janë 13 anëtarë të bandës së vëllezërve Avdyli nga Shijaku, të cilët u kapën në audio-përgjime për mbledhjen e votave për PS-në në zgjedhjet e vitit 2017.
Ata akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe pastrim parash
Hetimet për këtë rast u kryen nga prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.
Laboratori i përpunimit të heroinës në Has u zbulua më 19 tetor 2018.
Policia sekuestroi 150 kilogramë heroine të përpunuar, të bërë gati për shitje, dhe një sasi opiumi, lënda bazë për përpunimin e heroinës.
Laboratori ishte ndërtuar në një zonë periferike, në fshatin Brenog brenda dy kapanoneve që më parë, përdoreshin si stalla për bagëtitë.