
Pavarësisht thirrjeve të Komisionit Europian, eurokomisionerit për Zgjerim dhe dhjetra eurodeputetëve, shumic socialiste ka vendosur të rimiratojë ndryshimet e Kodit Zgjedhor, në seancën e së enjtes në kuvend.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe një ndër 10 pikat e rendit të ditës është ajo e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Për miratimin e tyre nevojiten 84 vota, të cilat shumica socialiste i ka siguruar.
Ditët e fundit eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi përsëriti thirrjen e tij për shumicën socialiste, që të presë opinionin e Komisionit të Venecias për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, para se t’i rimiratojë ato.
Gjithashtu dhe europarlamentari gjerman Michael Gahler dhe zëdhënësja e Komisionit Europian Ana Pisonero-Hernandez i bënë thirrje parlamentit shqiptar të presin opinionin e Komisionit të Venecias.
Një ditë më parë, një grup prej tetë eurodeputetësh i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe shumicës socialiste që të mos miratojë ndryshimet e Kodit Zgjedhor pa pritur opinionin e Komisionit të Venecias.