Në gusht të vitit 2016, Kryeministri Edi Rama, në përgjigje të akuzave të opozitës për përfshirjen në trafik ndërkombëtar droge të vëllait të deputetit Fatmir Xhafaj, në atë kohë drejtues i Komisionit për Reformën në drejtësi, e quante Agron Xhafajn “një njeri që jeton me punën e tij të ndershme”:
Kryeministri Rama, 5 gusht 2016:
“Saliu e ka ndërmarrë fushatën e tij të ndyrë të radhës këtë herë, për të baltosur Fatmir Xhafajn! Dhe në stilin e tij të vjetër e të neveritshëm bolshevik, ka ngritur një akuzë mbi një histori të sajuar këmbë e krye, për të vëllanë e Fatmirit. Një histori me drogë venezuelane, për babain e dy fëmijëve që është në punën e tij të ndershme dhe ka vetëm një faj:Eshtë vëllai i njeriut që drejton Komisionin e Posaçëm Parlamentar për reformën më të rëndësishme dhe më të vështirë të 25 vjetëve të fundit!”
Dje, pas bërjen publike të dosjes së plotë të dënimit të Agron Xhafajt në Itali, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj e pranoi publikisht se vëllai itij ka qenë i përfshirë në trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, por shtoi se ky dënim nuk ka asnjë lidhje me karrierën e tij politike.