Një lexim i kujdesshëm i raporteve financiare të depozituara në QKR të disa prej kompanive kryesore shtetërore të vendit, nxjerr në pah një realitet të ri në lidhje me dështimet e qeverisë në realizimin e buxhetit të vitit 2015.
Qeveria e rishikoi tre herë, gjatë vitit, Buxhetin 2015 për ta përshtatur me të ardhurat më të pakta se parashikimi, duke veçuar çdo herë administratën doganore si institucionin kryesor përgjegjës për këtë dështim. Kjo situatë u shoqërua me kritika, polemika dhe pushime nga puna në administratën doganore.
Por, duket se ka patur një tjetër protagonist të heshtur që me vendimet e tij ka kontribuar në mosrealizmin e buxhetit – Ministri Arben Ahmetaj.
Në buxhetin e vitit 2015 ishin parashikuar mbi 2 miliardë lekë (rreth 15 milionë euro) të ardhura nga fitimet e kompanive shtetërore. Por në fund të vitit, në buxhet hynë vetëm 528 milionë lekë, pra, rreth 1,5 miliardë lekë më pak. Shuma e munguar është afërsisht sa totali i të ardhurave të parashikuara për vitin 2015 nga taksa mbi biznesin e vogël.
Fakti është se të katra kompanitë publike më fitimprurëse në vend—OST, Albpetrol, Posta Shqiptare, Albcontrol—regjistruan në vitin 2014 një fitim total neto prej rreth 3,8 miliardë lekë (afërsisht 28 milionë euro).
Por Ministri Ahmetaj—ortaku i vetëm në emër të qeverisë i këtyre kompanive— në fillim të vitit 2015 ka vendosur që 90 për qind të fitimit t’ja u lërë vetë kompanive, si “fond zhvillimi”, pa dhënë asnjë sqarim për këtë vendim.
Në këtë mënyrë këto katër kompani publike, në vend që t’i derdhin shtetit rreth 3.6 miliardë lëkë kanë derdhur vetëm 325 milionë (ligji kërkon që 5 përqind e fitimit t’u lihet kompanive si fond rezervë).
Vendimi i Zotit Ahmetaj është jo vetëm në kundërshtim me detyrimet ligjore të buxhetit të vitit 2015, por ai duket arbitrar, pasi të gjitha kompanive i është lënë e njejta përqindje e të ardhurave (90 për qind) edhe pse natyra e biznesit dhe nevojat e tyre zhvillimore janë shumë të ndryshme nga njëra kompani tek tjetra.
Ajo që është edhe më shqetësuese është se këto para publike, të etiketuara “fond zhvillimi”, do të përdoren sipas diskrecionit të drejtuesve të kompanive, ose më saktë të Ministrit Ahmetaj, jashtë detyrimeve dhe supervizionit të buxhetit të shtetit dhe vetë buxheteve të këtyre kompanive.
Duket luks i tepruar për një Ministër dhe qeveri që ankohen se nuk ka fonde të mjaftueshme për të investuar në shëndetësi dhe arsim.