Si po e mund Gjermania koronavirusin

Nga Exit News
Si po e mund Gjermania koronavirusin

Në Gjermani, një nga vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi, po vdesin më pak njerëz se në vendet e tjera të Evropës.

Gjermania kishte, të hënën në mëngjes vetëm 93 vdekje nga rreth 23 921 të infektuar, kurse Italia kishte 59 138 të infektur dhe 5 476 të vdekur.

Niveli i vdekshmërisë në Gjermani është rreth 0,39 për qind, në kontrast dramatik me Italinë ku vdekshmëria është thuajse 10 për qind.

Ky sukses i Gjermanisë, sipas studiuesve gjermanë, i kushtohet të paktën tre arsyeve kryesore.

Kapacitetet e sistemit shëndetësor

Gjermani ka 25 mijë shtretër të terapisë intensive, me pajisje për frymëmarrje të kontrolluar.

Kjo shifër është 5 herë më e madhe se Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, me 5 mijë shtretër secila, dhe 3,5 herë më e madhe se Franca,me 7 mijë shtretër.

Qeveria gjermane ka thënë se do ta dyfishojë numrin e shtretërve. Ajo po përgatitet që hotelet dhe sallat e mëdha publike t’i kthejë në ambiente për kurimin e pacientëve me simptoma të lehta.

Nga përvoja e deritanishme, terapia intensive ka shumë efikasitet në shpëtimin e pacientëve me gjendje të rënduar.

Testimi i hershëm

Gjermania ishte ndër vendet e para në botë që prodhoi testin dhe nisi diagnostikimin e menjëhershëm.

Laboratorët e pavarur filluan testimet në janar, kur shifrat e infeksionit ishin ende të ulta.

Këta laboratorë, me kalimin e muajve, e rritën kapacitetin e tyre dhe tani mund të diagnostikojnë 12 mijë persona në ditë.

Të testohesh në Gjermani është më e thjeshtë se në vendet e tjera. Mund të testohet kushdo që shfaq simptoma, vjen nga një zonë me rrezik ose ka pasur kontakt me një person të sëmurë.

Testimi i hershëm mundëson identifikimin dhe izolimin ose trajtimin në kohë të njerëzve të sëmurë, duke rritur mundësinë e shërimit dhe ulur mundësinë e infektimit.

Mosha e re e të infektuarve

70 për qind e të infektuarve me koronavirus në Gjermani janë të moshës nga 20 deri në 50 vjeç.

Sipas një raporti të Insitutit Robert Koch mosha mesatare e të infektuarve është 47 vjeç.

Në këto mosha vdekshmëria është më e ulët se në moshat e mëdha.

Ndërsa Italia, e cila ka popullsinë e dytë më të plakur në botë, mosha mesatare e të infektuarve është 63 vjeç dhe shumica dërrmuese e viktimave janë mbi 60 vjeç.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>