22 të infektuar të rinj me Covid-19 u zbuluan në 24 orët e fundit, duke shënuar rritje krahasuar me një ditë më parë, kur u zbuluan 14 pacientë të rinj.
Shumica e tyre janë në Kurbin e Krujë, ku që prej 17 prillit, një fasoneri është kthyer në vatrën kryesore të infeksionit.
Të infektuarit e rinj janë:
- 12 të infektuar në Kurbin, duke e çuar totalin në 19,
- 5 të infektuar në Krujë, duke e çuar totalin në 23,
- 3 të infektuar në Shkodër, duke e çuar totalin në 99,
- 2 të infektuar në Tiranë, duke e çuar totalin në 253.
Kruja dhe Kurbini
Fasoneria në Krujë, e cila ka vazhduar punën deri më 17 prill, duket se është kthyer në vatër të rrezikshme të përhapjes së Covid-19 në Krujë dhe Laç.
Deri tani aty janë infektuar mbi 20 punonjës.
Të gjithë të infektuarit e 24 orëve të fundit, 12 në Kurbin dhe 5 në Krujë, kanë lidhje me fasonerinë: ata janë ose punonjës, ose familjarë të tyre.
Shkodër
Të infektuarit e rinj janë: një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, një pacient në spitalin rajonal, dhe një shitëse në një furrë buke.
Kjo e fundit është infektuar nga vazja e saj, infermiere në spitalin rajonal.
Në total në spitalin e Shkodrës, 8 mjekë e infermierë janë prekur me Covid-19.