Si u përhap Covid-19 në 24 orët e fundit: Në Shkodër 2 punonjëse fasonerie të infektuara

Nga Exit News
Si u përhap Covid-19 në 24 orët e fundit: Në Shkodër 2 punonjëse fasonerie të infektuara

17 pacientë të rinj me Covid-19 u zbuluan 24 orët e fundit mes 259 personave të testuar.

Kjo shifër është më e lartë krahasuar me një ditë më parë, kur u zbuluan vetëm 7 të infektuar.

Në total, numri i të infektuarve është 433.

Të infektuarit e rinj janë:

  • 10 në Tiranë, duke e çuar totalin në 209.
  • 3 në Shkodër duke e çuar totalin në 52,
  • 1 në Durrës, duke e çuar totalin në 39,
  • 1 në Lushnje, duke e çuar totalin në 6,
  • 1 në Krujë, duke e çuar totalin në 6,
  • 1 në Pukë, duke e çuar totalin në 5.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli njoftoi se shumica e të infektuarve të rinj janë kontakte të pacientëve të mëparshëm, disa prej të cilëve kanë thyer masat e distancimit social dhe kanë vizituar të afërmit e tyre me Covid-19.

Tiranë

Një prej të infektuarve të rinj është nga Nikla, shtruar në spital në Tiranë. Ai vuan dhe nga diabeti. Nuk dihet ende se si e ka marrë virusin pacienti, pasi në dijeninë e tij nuk ka pasur kontakte me të infektuar të tjerë.

Durrës

I infektuari i ri është një 39-vjeçar, pa histori udhëtimi dhe pa kontakte, në dijeninë e tij, me persona të infektuar.

Shkodër

Në Shkodër ditët e fundit janë zbuluar disa vatra të reja të virusit. Një prej tyre është banore në lagjen Perash, punonjëse në një fasoneri. Ajo ka patur kontakte me një tjetër punonjëse në fasoneri, të identifikuar me Covid-19 dje. Prej 10 ditësh kjo fasoneri është mbyllur, por nuk dihet se sa punonjëse mund të jenë infektuar.

Dy të infektuar të tjerë në Shkodër janë koordinatori i OSHEE për Vau Dejës, Pukën dhe Rrencin dhe motra e tij.

Koordinatori ka pasur kontakt të vazhdueshëm me kolegët e tij, 6 prej të cilëve janë në vetë izolim dhe po presin përgjigjet e analizave.

Lushnje

I infektuari i ri është një biznesmen 50 vjeç. Ai jeton me 10 pjestarë të familjes së tij, të cilët janë në pritje të përgjigjeve. Biznesmeni ka një fabrikë e cila ka qenë e hapur deri më 10 prill.

Krujë

Pacienti i ri është pjestar i një familjeje me 3 persona të tjerë të infektuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>