Gjykata Speciale kundër Korrupsionit do të vendosë të hënën për masat e arrestit të 9 zyrtarëve të Minsitrisë së Brendshme të arrestuar për korrupsion në tenderin, me vlerë 23 milionë euro të uniformave të Policisë.
Sipas dosjes hetimore të publikuar në media mësohet se tenderi 23 milionë euro do të ndahej: rreth 4,7 milionë euro për blerjen e këpucëve, 287 mijë euro për ndërtimin e sistemit elektronik të shpërndarjes së uniformave dhe 19 milionë euro për blerjen e uniformave.
Zbulimi i korrupsionit u bë nga dëshmia e një prej anëtarëve të Njësisë së Prokurimit, Aurora Mulla inxhiniere tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Mulla ka treguar se nuk ka firmosur dy tabela dhe specifikimet e tenderit, pasi ato ishin ndryshuar pa dijeninë e saj.
Ndërsa, autoriteti kontraktor ka deklaruar se vlera përfundimtare e tenderit ka ndryshuar pas përfshirjes së kostos për ndërtimin e sistemit elektronik. Ky i fundit nuk u ndërtua asnjeherë.
SPAK më 10 korrik hetoi 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë për abuzime me tenderat e uniformave të policisë, të shtunën.
Tenderi i hetuar:
Në korrik 2019, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë hapi një tender, me procedurë të ‘kufizuar’, me vlerë 23 milionë euro, për uniformat e policisë deri në vitin 2023. Fituesi i tenderit u shpall në prill 2020, nga bashkimi i kompanive D&E shpk, Summer conf. s.r.l, Lovers s.r.l dhe Yakupoglu tekstil ve deri san. tic. as a. Vedat Yakupoglu.
Kundër fituesit të tenderit u ankua kompania Marsi-al, me pretendimin e modifikimit të dokumenteve të tenderit. Kjo kompani ka fituar tenderin prej 960 mijë eurosh për prodhimin e uniformave të policisë në dhjetor 2015.
Ankesa e kompanisë u hodh poshtë nga Komisioni i Prokurimeve Publike, KPP.