Rama tha se denoncimi i skandalit me sanitaren e spitalit COVID2 ishte një lajm i mirë pasi arrestohen “të tilla monstra”.
Kryeministri komentoi në Open, ngjarjen e denoncuar dy ditë më parë në emisionin “Stop” ku u zbulua një sanitare e cila merrte rryshfet duke u hequr si infermiere në spitalin COVID 2.
“Për mua është lajm i mirë kur të tilla monstra dalin të ekspozuara para publikut dhe falë tyre përfundojnë prapa hekurave, sepse pastrohet një çiban nga sistemi. Nëse prokuroria do të nxjerrë të tjerë është prapë lajm i mirë sepse çdo i implikuar do të shkojë aty ku e ka vendin”
Rama e konsideroi rastin “një mashtrim klasik” dhe kjo çështje është në dorë të drejtësisë.
“Personi është mbrapa hekurave menjëherë, nëse prokuroria do të nxjerrë persona të tjerë edhe ata do të shkojnë pas hekurave. Nuk mund ta bëj këtë gjë vetëm media dhe qeveria por vetë qytetarët, t’ju drejtohen emisioneve investigative”
Gjykata vendosi ditën e sotme që sanitarja që mashtroi të lihet në burg.
Kryeministri u shpreh se ky rast nuk mund të baltosë punën e bluzave të bardha gjatë pandemisë.
“Një shëmbëlltyrë e tillë që pa diskutim nuk është e vetmja sepse me siguri ka edhe të tjerë nuk e baltos dot uniformën e shërbëtorëve në këtë kohë dhe bluzat e bardha. Dua t’ju them qytetarëve që nëse nuk doni të denonconi dhe të dilni hapur në polici përdorini sa të mundeni emisionet investigative.”