Sondazhi i dytë i IPR në bashkëpunim me OraNews për zgjedhjet e 25 qershorit tregoi dje në mbrëmje, një konsolidim të mëtejshëm të votave për tre partitë kryesore. Kostot e këtij konsolidimi sigurisht bien mbi partitë e vogla.
Mes 1000 të intervistuarve, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin këtë javë, Partia Socialiste do të fitonte 45 për qind të votave, Partia Demokratike 37 për qind, LSI 13 për qind, LIBRA 2 për qind e pas saj, PDIU.
Krahasuar me sondazhin e parë të 31 majit, PS ka fituar 2 pikë përqindje, ndërsa PD e LSI nga një pikë përqindje.
Pyetur se cilin koalicion do të preferonin pas zgjedhjeve, 19,3 për qind e të intervistuarve kanë preferuar koalicionin natyral PS-LSI, 15 për qind koalicionin e gjerë PS-PD dhe 9 për qind koalicionin PD-LSI. Interesante ishte fakti se më shumë se gjysma e të intervistuarve nuk kanë shprehur interes mbi koalicionet ose nuk kanë patur informacion lidhur me to.
Sondazhi në qarkun e Durrësit, ku garohet për 14 mandate, tregoi se nëse qytetarët do të votonin këtë javë, PS do të fitonte 6 mandate, PD 5, LSI lufton për 1-2 mandate. Po ashtu dhe LIBRA e PDIU luftojnë për një mandat.
Në qarkun e Fierit, ku garohet për 16 mandate, PS arrin një fitore të thellë me 9-10 mandate, PD vetem 4-5, LSI 1-2 mandate, ndërsa sërish LIBRA e PDIU luftojnë për një mandat.
Në qarkun e Elbasanit, ku garohet për 14 mandate, PS me gati gjysmat e votave, fiton 7 mandate, PD me rreth 30 për qind të votave, merr 4 mandate, LSI 1-2 mandate, ndërsa LIBRA e PDIU luftojnë për nga një mandat.
Të gjithë partitë e tjera, në këto tre qarqe nuk arrijnë ta kalojnë pragun.