Dje në mbrëmje, televizioni OraNews dhe IPR Marketing bënë publike rezultatet e sondazhit të parë për zgjedhjet e 25 qershorit. Të dhënat bazohen në intervista telefonike me 2002 votues në gjithë Shqipërinë gjatë datave 29-30 maj, dhe 1000 votues në qarkun e Tiranës, ku garohet për 34 nga 140 mandatet.
Në nivel kombëtar, 43 për qind e votuesve janë shprehur se nëse do të votonin sot, do të votonin për Partinë Socialiste. Në vend të dytë renditej Partia Demokratike me 36 për qind të votuesve dhe më pas, Lëvizja Socialiste për Integrim me 12 për qind të votuesve. Surprizë është partia e Ben Blushit , LIBRA e cila renditet në vend të katërt me 2,3 për qind, duke lënë pas PR e PDIU.
Ndërkohë 21 për qind e të intervistuarve janë ende të pavendosur se për cilën parti të votojnë.
IPR Marketing bën me dije se marxhi i gabimit të këtij sondazhi është ±2,5 për qind.
Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, Partia Socialiste ka rritur mbështetjen e saj me vetëm 1,7 pikë përqindje, ndërsa PD, e cila në vitin 2013 fitoi 30 për qind të votave, ka shënuar një përmirësim me 6 pikë përqindje. LSI, në nivel kombëtar ka një rritje prej 1,5 pikë përqindje.
Në qarkun e Tiranës ku votohet për 34 mandate, rezultatet e sondazhin tergojnë se nëse votimet zhvillohen sot Partia Socialiste do të fitonte 41 për qind, Partia Demokratike 33 për qind, Lëvizja Socialiste për Integrim 14 për qind, LIBRA 6 për qind dhe SFIDA 1,5 për qind.
Përkthyer në mandate, PS do të fitonte 15 mandate, PD 12 mandate, LSI 5 mandate dhe LIBRA dy mandate. Krahasuar me vitin 2013, kemi një rënie të Partisë Socialiste si në përqindje, dhe në numër mandatesh. Partia Demokratike është pothuaj në të njëjtën për qindje votash, por arrin të marrë një mandat më tepër për shkak të formulës. Lëvizja Socialiste për Integrim ka arritur të dyfishojë numrin e votave dhe të marrë dy mandate më tepër. Në Tiranë është interesante se si LIBRA ka arritur të tërheqë 6 për qind të votave, ndërkohë që partitë e vogla që kandidojnë nën siglën e PD-së ende nuk duket se kanë dhënë kontribut në numrin e votave.
IPR Marketing do të zhvillojë dhe dy sondazhe të tjera në javët vijim, tashmë dhe në tre qarqe të tjera.