Ambasdori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca i ka bërë thirrje partive politike të përzgjedhin kandidatë për deputetë me standarte të larta integriteti.
“Udhëheqësit e partive e kanë përgjegjësi ligjore dhe morale të sigurojnë një listë me kandidatë për deputetë me standarte të larta të integritetit”, shkroi Soreca në një postim në Twitter, të martë, në konferencën “Qeverisja për Ndryshim: Propozime nga Shoqëria Civile”.
“Shqipëria meriton deputetë të cilët mbështesin agjendën e reformave të BE-së në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shtoi Soreca.
Ai gjithashtu i bëri thirrje partive të dëgjojnë rekomandimet e organizatave joqeveritare për politikat e nevojshme në vend.
Në këtë konferencë u prezantua një platformë e ndërtuar nga organizata CoPlan me financim të BE-së për dërgimin e propozime politike për partitë politike përpara zgjedhjeve nga organizatat e shoqërisë civile.