Ish-deputeti Bardh Spahia i ka kërkuar qeverisë të marrë masa për të parandaluar hyrjen në Shqipëri të personave të infektuar me variantin e ri të koronavirusit që u identifikua në Britaninë e Madhe.
Spahia akuzon qeverinë se është mbrapa vendeve të rajonit për marrjen e masave parandaluese ndaj variantit të ri të koronavirusit.
“Të gjitha vendet europiane dhe jo vetëm, përfshi edhe fqinjët tanë kane marre masa te forta, si dhe kanë shtuar kontrollet në pikat kufitare. Në këtë situatë Shqipëria gjendet krejtësisht e papërgatitur dhe pa asnjë plan. Akoma sot autoritetet shqiptare nuk kanë ndërmarrë asnjë hap edhe pse nga vendet e prekura ku ende udhëtohet po mbërrijnë emigrantët shqiptarë që do kalojnë festat pranë familjeve.”, shkruan Spahia.
Kufizimin e mëtejshëm të orarit të daljes, Spahia e konsideroi të pamjaftueshëm nëse nuk integrohet me “një strategji dhe plan veprimi serioz për të evituar infektimin me format e reja të Covid-19.”
Komiteti Teknik njoftoi sot se të gjitha fluturimet drejt Britanisë së Madhe do të pezullohen prej të martës deri në 6 janar.
Gjithashtu qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe do të karantinohen për 14 ditë.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve infektive në ISHP Silva Bino ka deklaruar se lloji i ri i Covid-19 ka të njëjtën sjellje si virusi bazë.