Dy vite pas arrestimit me bujë nga Operacioni Forca e Ligjit, Prokuroria nuk vërtetoi akuzat për grup të strukturuar ndaj fisit “Bajri”, pjesa më e madhe e së cilit mund të lirohet.
Shqiptarja.com raportoi se kjo akuzë u rrëzua në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Top-Channel analizoi se SPAK nuk mundi të provonte ekzistencën e një grupi të strukturuar dhe shpalli moskopetencë për çështjen. SPAK-u ia kaloi hetimin për akuzat e tjera Prokurorisë së Shkodrës.
Nga 11 të arrestuarit e 2 viteve më parë, çështjes për “grupin Bajri” i kishin mbetur vetëm 6 të akuzuar. SPAK-u kishte dyshime për grup të strukturuar vetëm për 2 prej tyre. Por meqenëse, sipas kodit penal, grupi i strukturuar cilësohet me më shumë se 3 persona, akuza bie.
Behar Bajri do të hetohet në Shkodër për vrasje. Ilir Bajri për gjobëvënie, Safet Bajri dhe Astmir Bilali për trukim ndeshjesh, Ismet Idrizi për armëmbajtje pa leje dhe Emrah Plaku për ndërtim të paligjshëm.
Avokatët i thanë Top-Channel-it se sapo çështja të transferohet në Shkodër ata do të kërkojnë lirimin.
Në shtator 2018 Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu kur njoftoi për rezultatet e aksionit “Forca e Ligjit”, cilësoi 11 të arrestuarit si “grup i strukturuar kriminal”.
Të arrestuarit ishin:
- Behar Bajroviç (Bajri)
- Samet Halluni
- Safet Rustemi (Bajri)
- Denis Bajroviç
- Klaudio Hoxhalliu
- Ilir Rustemi
- Emrah Plaku
- Astmir Bilali
- Armir Grimaj
- Fabiol Rexhepi
- Ismet Idrizi
Policia, asokohe shpalli në kërkim edhe 2 persona të tjerë, me inicialet E.B dhe N.H. Ish-Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela deklaroi se ata akuzoheshin:
“[…] për veprat penale të vrasjes, gjobvënies, pastrimit të parave, trukimit të ndeshjeve sportive, kanosjes, etj. Vepra të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Rreth 1 vit më vonë, gjykata shpalli të pafajshëm Armir Grimën duke e liruar nga burgu. Grima, ish-portier i Vllaznisë dhe trajner i kombëtares së femrave akuzohej se “ishte pjesë e gurpit të strukturuar kriminal Bajri” dhe kishte trukuar ndeshje, akuza që u rrëzuan.
Top-Channel raporton se në të njëjtën mënyrë akuzat për përfshirje në grup të strukturuar kriminal ishin rrëzuar për të paktën edhe 4 të dyshuar të tjerë.