SPAK pezullon nga detyra anëtarin e KPA, Luan Daci–Fshehu shkarkimin në vitin 1997

Nga Exit News
SPAK pezullon nga detyra anëtarin e KPA, Luan Daci–Fshehu shkarkimin në vitin 1997

Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci. Ai akuzohet për fallsifikim dokumentash, pasi ka fshehur shkarkimin nga detyra e gjyqtarit në vitin 1997.

Në njoftimin në faqen zyrtare të SPAK thuhet se ndaj gjyqtarit Daci janë vërtetuar akuzat për fallsifikim dokumentash.

Në 17 Janar të këtij viti, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Besnik Cani depozitoi një kallëzim penal në Prokurorinë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për gjyqtarin Luan Daci.

Në kallëzimin e prokurorit Cani thuhej se në aplikimin e kryer pranë institucionit të Avokatit të Popullit, datë 03.02.2017, z. Daci kishte fshehur faktin se me Vendimin Nr. 6, datë 24.12.1997 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishte larguar nga detyra për shkelje të ligjës dhe paaftësi.

Ky nuk ishte një fakt i panjohur për institucionet e drejtësisë, pasi vetëm tre muaj përpara se të aplikonte për t’u bërë anëtar i Kolegjit të Posacëm të Apelimit, në Nëntor 2016, Luan Daci kishte aplikuar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në procesverbalin e datës 18.11.2016 të KLD-së thuhet shprehimisht se janë skualifikuar dy aplikime, të cilët janë zoti Luan Daci, i cili ka një vendim për “Shkarkim nga detyra”.

Pra, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e kishte refuzuar aplikimin e z. Daci për të qenë gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa disa muaj më pas ai do të bëhej anëtar i trupës së dytë të vetting-ut për të kontrolluar pasurinë, profesionalizmin dhe integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

I pyetur në Komisionin Parlamentar ad hoc për përzgjedhjet e anëtarëve të vetting-ut më 2 Qershor 2017, nëse kishte ikur vetë apo e kishin larguar nga detyra si gjyqtar, Luan Daci do të shprehej “unë kam ikur me dorëheqje, pasi nuk më lejuan të regjistrohesha në Shkollën e Magjistraturës”.

Në seancën e datës 20 Janar, prokurori Cani i kërkoi Kolegjit të Posacëm të Apelimit përjashtimin e gjyqtarit Luan Daci për të cilin kishte depozituar tashmë një kallëzim penal në SPAK. Por, Kolegji i Posacëm i Apelimit e rrëzoi këtë kërkesë pa dhënë asnjë shpjegim.

Pas rrëzimit të kërkesës nga KPA, prokurori Cani iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar zgjedhjen e dy gjyqtarëve të vettingut Luan Daci dhe Ardian Hajdari, për të cilët ekzistojnë fakte që provojnë se janë zgjedhur në kundërshtim me kërkesat e Kushtetutës dhe ligjit.

Vendimi i sotëm i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posacëm të Apelimit të Luan Dacit është një sinjal i fortë për mënyrën se si u ndërtuan dhe përbërjen e organeve të vetting-ut.

Ndërkohë, që ky vendim vë në pikëpyetje të gjitha vendimet e marra nga trupat gjykuese, në përbërje të të cilave ka qenë gjyqtari Daci, në kushtet kur zgjedhja në kundërshtim me ligjin shkel një ndër parimet kryesore të procesit të rregullt ligjor “gjykatën e caktuar me ligj”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>