Një mjeke, një infermier dhe një shofer ambulance në Berat janë vetëkarantinuar pasi vizituan një paciente asmatike në shtëpi, e cila nuk i tregoi atyre se ka qenë në Itali javën e kaluar.
Lajmi u dha nga vetë Drejtoresha e Spitalit Rajonal Berat, Edlira Shkëmbi, e cila sqaroi se dje mjekët kanë shkuar në shtëpinë e të sëmurës pas telefonatës për probleme me frymëmarrjen.
Kur kanë arritur në shtëpinë e saj, pacientja e kishte kaluar krizën asmatike, ishte qetësuar dhe nuk kishte asnjë shenjë tjetër dyshuese. Por ajo vetë ka treguar se ditët e fundit ka pasur kollë dhe temperaturë.
Ajo ka gënjyer stafin e mjekëve kur këta të fundit e kanë pyetur nëse ka udhëtuar kohët e fundit drejt Italisë.
Kur stafi mjekësor po largohej, ka mësuar nga fqinjët se pacientja kishte një javë që ishte kthyer nga Italia, fakt të cilin dhe vetë pacientja e konfirmoi më pas.
Më pas, mjekët kanë njoftuar 127-ën për të marrë mostrën nga pacientja, si dhe për 3 personat, mjekja, infermieri dhe shoferi, të cilët patën kontakt me të.
Mostregimi i informacioneve të sakta dhe kontakteve të sakta ka vënë deri tani në rrezik shumë mjekë.
Në spitalin e Durrësit një mjek u prek nga koronavirusi pasi i shërbeu për disa ditë 73-vjeçares me koronavirus, e cila humbi jetën 3 ditë më parë. Ajo nuk i kishte treguar mjekëve që sapo ishte kthyer nga Italia, duke vënë në rrezik të gjithë stafin mjekësor. Shumë infermierë dhe mjekë të spitalit të Durrësit po presin ende përgjigjet e analizave.