Deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti, sëbashku me dy kolegë të tjerë u arrestua sot përpara hyrjes së Kuvendit të Kosovës. Gjykata e Kosovës vendosi masë sigurie me burg ndaj Albin Kurtit sepse pak kohë më parë ai hodhi gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës për të ndaluar zhvillimin e seancës parlamentare për demarkacionin me Malin e Zi.
Pra Albin Kurti dhe kolegët e tij u arrestuan sepse protestuan në mënyrë të irrituar kundër një vendimi politik, i cili sipas tyre është antipatriotik.
Në të njëjtën kohë deputeti i Partisë Socialiste shqiptare Saimir Tahiri — i hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda shqiptare për bashkëpunim, gjatë detyrës së tij si Ministër i Brendshëm, me bandën e trafikimit ndërkombëtar të drogës të drejtuar nga kushurinjtë e tij, të hetuar dhe të arrestuar në Itali — shkoi lirisht në Gjermani për punë private, duke përfituar nga fakti se shumica e Kuvendit të Shqipërisë nuk pranoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e tij.
Dy vende fqinje, kufi me njëra-tjetrën, të dyja nën kontrollin e misioneve të huaja, por me dy standarte shumë të ndryshme gjykimi.