Kryeministri Rama, në bashkëbisedimin e sotëm me mediat foli për përgjimet e Vangjush Dakos dhe anëtarëve të bandës Avdylaj, dhe për përgjimet e Saimir Trahirit e bandës së Habilajve. Rama tha se:
Përgjimet janë kërcënim i madh për të vërtetën dhe demokracinë kur trajtohen si ushqim për spektakël politik dhe mediatik. Bota e di ndaj ka marrë masa ndaj kësaj. Përgjimet nuk përbëjnë asnjë lloj prove apo arsye për të lincuar njerëz në publik.
Por, në fakt, ka shumë raste në botë, ku drejtues të lartë politikë kanë dhënë dorëheqjen dhe karriera e tyre politike ka përfunduar.
Kështu, vetëm pak javë më parë, Këshilltari kryesor i Kryeministrit kanadez Justin Trudeau dha dorëheqjen pas publikimit të një telefonate mes tij dhe një zyrtari tjetër të lartë, ku flitet se kryeministri kanadez ka ndërhyrë për të mbrojtur një nga firmat më të mëdha të vendit, e cila është në gjyq për korrupsion.
Në janar 2016, Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruesvski dha dorëheqjen disa muaj pasi u bënë publike përgjime telefonatash ku vërtetohej përfshirja e ministave dhe zyrtarëve të Gruevskit në vepra të shumta penale.
Në vitin 2016, Adem Grabovci, kryetari i grupit parlamentar të PDK-së dha dorëheqjen pas publikimit të përgjimeve telefonike, ku ai bisedonte me drejtues të lartë të PDK-së për vende pune.
Në qershor 2015, tre ministra polakë (i Shëndetësisë, i Thesarit dhe i Sportit) dhe kryetari i Kuvendit dhanë dorëheqjen pasi u bënë publike disa regjistrime bisedash të vitit 2013 dhe 2014, ku ministrat komunikonin me lobistë dhe sipërmarrës për marrëveshje dhe promovime, teksa darkonin në Varshavë. Për të njëjtin skandal, në vitin 2014, dha dorëheqjen edhe ministri i Brendshëm polak.
Në vitin 2015, Kryeministri i Estonisë Tiit Vahi dha dorëheqjen pasi u publikuan përgjime të bisedave ndërmjet ministrit të Brendshëm dhe një kompanie për shitje armësh.