Strategjia e Ramës kundër “kazanëve”

Nga Vincent Van Gerven Oei
Strategjia e Ramës kundër “kazanëve”

Nëse ka një gjë që Kryeministri Edi Rama nuk e përballon dot është me siguri raportimi i mediave të huaja për “vendin e tij”.

Rreth një javë më parë, më 19 nëntor, revista e njohur amerikane Newsweek botoi një artikull të gazetarit shqiptaro-hollandez Vincent Triest dhe gazetarit britanik Will Nicol me titull Epidemia e drogës nuk është vetëm problem i Amerikës: Si një vend i vogël në Evropë u mbush me kokainë.

Përgjigjia nga qeveria e Ramës ishte e butë, dhe ndoqi qasjen e zakonshme dy-hapëshe.

Hapi i parë: Kundër opinioni

Shkrimi i Triest dhe Nicol në vetvete përmbante pak infromacion të ri. Faktet e përmendura në të janë të mirënjohura në disa prej raportimeve të huaja.

Është fakt se Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të përdorimit të kokainës për frymë dhe se Shqipëria është eksportuesi numër një i kanabisit në Evropë. Gjithashtu, moria e ngjarjeve të skicuara në artikull—bumi i kultivimit të kanabisit në vitin 2016 dhe riinvestimi i fitimeve të saj në fuqizimin e rrjeteve kriminale për të kaluar në trafikimin e kokainës dhe heroinës, pasi policia filloi të shkatërrojë sipërfaqet e kultivuara në vitin 2017—është e arsyeshme dhe mbështetet nga raportimet për rritjen e rëndësisë së shqiptarëve në rrethet e krimit të organizuar në Evropë Perëndimore.

Por përgjigjia e Kryeministrit ishte e menjëhershme, me një opinion botuar të nesërmen në gazetën Financial Times. Shkrimi Droga e Shqipërisë është tani një problem evropian tentoi të arrinte këto:

1. Të ndryshonte diskutimin nga rritja e krimit të organizuar dhe trafikimit të kokainës dhe heroinës tek suksesi i qeverisë kundër kultivimit të kanabisit pas presionit të fortë të të huajve;

2. Të diskreditonte gazetarët që nuk përcjellin “historinë e vërtet”: “Ndoshta sepse gazetarët tërhiqen më shumë nga pjesa gjysëm bosh se sa nga ajo gjysëm plot, historia e vërtet nuk arriti ansjëherë të botohej. Historia e vërtet është se sasi rekord kanabisi më në fund u identifikuan—dhe u shkatërruan”;

3. Të fajësojë vendet (përdoruese) të BE-së që nuk po bëjnë asgjë: “Ne në Shqipëri kemi bërë çdo gjë të mundur për të shkatërruar një burim të konsiderueshëm të një problem mbarë evropian. Por vendet konsumuese duhet të hetojnë me forcë fajtorët dhe të ngrijnë të ardhurat nga krimet e tyre”;

4. Ta portretizojë veten si viktima. Lexoni këtë:

Ata nuk do të hezitojnë të përdorin pasurinë e tyre për të blerë ndikim. Ata do të punësojnë firma në dukje të respektueshme ligjore dhe financiare dhe agjensi lobimit. Përmes këtyre ndërmjetësuesve, ato do të gjejnë rrugët për t’i kthyer akuzat përmbus dhe ta përshkruajnë vetën e tyre si viktima të pafajshme të sulmuara nga rivalët në biznes apo, më keq akoma, nga kundërshtarët e tyre politikë—domethënë nga mua dhe nga qeveria. Ne e kemi kaluar tashmë një përvojë të tillë.

Ata nuk do të hezitojnë të përdorin pasurinë e tyre për të blerë ndikim: Po 863 mijë eurot e gjetura në makinën e Orest Sotës, mikut biznesmen të Saimir Tahirit, së bashku me dy patentat për mjete lundruese të Tahirit?

Ato do të punësojnë firmat në dukje të respektueshme ligjore dhe financiare dhe agjensi lobimi: Po për qindra mijëra euro e shpenzuara për kompaninë Omnia Strategies të Cherie Blair në këmbim të këshillave “falas” të kriminelit të luftës Tony Blair? Apo të ish-doktorit të tij të propagandës “që mburr” Shqipërinë me porosi?

Përmes këtyre ndërmjetësuesve, ato do të gjejnë rrugët për t’i kthyer akuzat përmbus dhe ta përshkruajnë vetën e tyre si viktima të pafajshme të sulmuara nga rivalët në biznes apo, më keq akoma, nga kundërshtarët e tyre politikë: Kjo është provë e vetvetes — ja ku e kë thënë vetë, Edi Rama.

Natyrisht, askush në Evropë nuk do të bindet nga ky tekst dërdëllitës i Edi Ramës, i cili nuk përball asnjë nga faktet e sjella në artikullin e Newsweek dhe asnjë nga shqetësimet e shprehura në kryeqytetet evropiane. Në këto kryeqytete e dinë shumë mirë se krimi shqiptar është kthyer në problem, dhe ata po marrin gjithë masat e mundshme për ta ndaluar atë—përfshi rivendosjen e regjimit të vizave.

Por artikulli i tij në Financial Times nuk është shkruar për qytetarët apo politikëbërësit evropianë. Ai është shkruar për t’u paraqitur në faqen në Facebook të Kryeministrit, që të gjithë ndjekësit e tij shqiptarë të mund të shohin se edhe ai mund të publikojë në mediat e shquara ndërkombëtare. Kaq del e tepron.

Hapi i dytë: Baltosja personale

Vincent Triest ka mbuluar në të shkuarën emigracionin e paligjshëm të shqiptarëve në BE, dhe ka qënë i pari i cili bëri publik kërcënimin e rivendosjes së regjimit të vizave, nëse nuk do të ndalej emigrimi i paligjshëm dhe përhapja e krimit të organizuar shqiptar drejt vendeve të Evropës. Kjo çështje në Hollandë, për shembull, ka sjellë shqetësim si mes partive të koaliconit qeverisës ashtu edhe atyre të opozitës në parlamentin e vendit.

Will Nicol, e ka intervistuar më parë, në vitin 2015, Edi Ramën po për revistën Newsweek. Artikulli i titulluar Rilindja Shqiptare e Edi Ramës përmbante disa perla, të tilla si pohimi i Ramës se “policia ishte e shkatërruar rëndë nga lidhjet me krimin e organizuar”. Mesa duket, ajo mbetet ende e shkatërruar. Në vetvete, artikulli ishte neutral në lidhje me Ramën dhe mundësitë e suksesit të tij.

I përmenda këto hollësi vetjake, sepse hapi tjetër është përgojimi personal ndaj dy gazetarëve në median shqiptare. Ndjekësit e Ramës në Facebook duhet të shohin jo vetëm provën se ai mund të shkruajë në anglisht, por gjithashtu duhet të mësojnë se autorët e artikullit të Newsweek janë në fakt mercenarë të paguar nga opozita. Në gjithë këtë kontekst, faktet dhe politikat publike që përmban artikulli janë të parëndësishme.

Triest, i ftuar në emisionin Dritare të Rudina Xhungës, morri pjesë në një debat se si ndikojnë në imazhin e vendit artikujt negativë për Shqipërinë botuar në median e huaj.

Artikulli i Triest u kategorizua si “negativ”, që i jep Shqipërisë “një emër të keq”, dhe roli i tij në të gjithë programin ishte kryesisht të justifikohej se dhënia e një emri të tillë të keq Shqipërisë ishte në të vërtetë një gjë e mirë—një betejë kjo e vështirë për t’u fituar.

Për më shumë, Xhunga pohtuajse nuk u mor fare me vetë artikullin, duke u përqendruar vetëm në mënyrën si ishte pritur ai nga media—duke e turbullaur edhe më shumë debatin dhe errësuar faktet e sjella në artikull.

Flogert Muça, nga portali pro-qeveritar Lexo.al, filloi me një monolog të gjatë se si Nicol ishte një “seksologjist” (sepse ai publikonte në revistën Men’s Health) dhe ndaj nuk dinte asgjë për Shqipërinë.

U bënë sulme të nënkuptuara për moshën e re të Vincent Triest, shkollimin e huaj të tij dhe prejardhjen e tij të përzjerë shqiptaro-holandeze. Përt këto arsye ai nuk mund ta “kuptojë” Shqipërinë siç e kuptojnë shqiptarët të cilët janë rritur në Shqipëri.

Muça vazhdoi të aludonte se përkthimi i “menjëhershëm” i artikullit në shqip nuk ishte i rastësishëm, sepse ai ishte shkruar njëherë në shqip dhe më pas ishte përkthyer në anglisht. Me fjalë të tjera, artikulli në Newsweek ishte i ndërtuar nga opozita shqiptare—dhe ndaj ishte jo legjitim.

Sërish, këto janë akuza ndaj të cilave vështirë se mund të mbrohesh, por ato arrijnë të turbullojnë ujërat—çfarë është edhe qëllimi i vetëm i hedhjes së tyre në treg.

Për më tepër, Muça vazhdimisht u përpoq të nënvlerësonte “ekspertizën” e Triest. Pas deklaratës faktike të Triest se parlamenti hollandez po i kërkon Ministrit të Drejtësisë dhe Sigurisë të hetojë kthimin e sistemit të vizave, Muça ulëriti shumë herë se Hollanda nuk mund të vendosë veton dhe se Triest nuk e kishte idenë për çfarë fliste—sepse ai nuk kishte studiuar “marrëdhënie ndërkombëtare”.

Por argumenti i Triest ishte i thjeshtë: nëse ka disa vende që faktikisht po shqyrtojnë heqjen e sistemit të ëprjashtimit nga vizat për Shqipërinë, si mundemi ne të mendojmë se Shqipëria është pothuajse brenda në BE? Sërisht, një argument i arsyeshëm i goditur me anë të sulmeve personale.

Një argument tjetër i bisedës ishte mungesa në artikull e citimeve nga burime qeveritare. Triest theksoi një problem të zakonshëm që has çdo gazetar kritik me qeverinë: portat e komunikimit të tyre me qeverinë janë të mbyllura.

Në përgjigje, deputeti i PS-së Musa Ulqini, deklaroi se Triest mund të kishte përdorur platformën e bashkëqeverisjes: sikurse “mijëra qytetarë shqiptarë” për të plotësuar një ankesë, “e cili do të ishte trajtuar”.

Edhe pse Ulqini është deputet i PS-së dhe anëtar i Komisionit të Medias, është e qartë se ai nuk e kupton se një portal qeveritar për ankesa nga qytetarët vështirë se mund të jetë vendi ku një gazetar mund të marrë përgjigje për artikulllin e tij.

Në të gjithë botën, në dispozicion të gazetarëve janë kontaktet personale të zëdhënësave të qeverisë, me qëllim që të merret lehtësisht një koment, ose qoftë jo-koment. Ky nuk është rasti i Shqipërisë, dhe Triest kishte të drejtë që e vuri në dukje këtë gjë.

U duk gjithashtu se Ulqini duhet ta dinte përmendësh artikullin e Ramës në Financial Times, sepse në një moment të caktuar ai përdori fjalë për fjalë metaforën se “gazetarët janë të tërhqeur nga gota gjysëm bosh më shumë se sa nga ajo gjysëm plot”.

Me fjalë të tjera, pjesa më e madhe e pjesmarrësve në emisionin Dritare ishin thirrur me një qëllim të vetëm: të dobësonin besueshmërinë e Triest dhe të errësonin faktet që ai paraqiti para botës.

Në të gjtihën këtë skenar, roli i Xhungës ishte ndoshta më problematiku. Programi i saj u kthye nga një debat që në nisje tendencioz në një gjyq publik—dhe ajo nuk ndërhyri qoftë edhe një herë të vetme për ta kthyer debatin në shina.

Ky është roli i “moderatorëve” në regjimin mediatik të Ramës: t’i japin hapësirë sulmeve personale dhe keqinformimit dhe jo lehtësimit të një debati të hapur e të ndershëm.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>