Studentët, të cilët sot vazhdojnë ditën e gjashtë të protestës, kanë refuzuar ftesën e Kryeministrit Rama për “një dialog live në Facebook”, e lajmëruar sot për në orën 11:00.
Në ftesën e tij Rama u përpoq t’i përshtatej lëvizjes studentore, e cila ka deklaruar në mënyrë të qartë se kërkesat e saj janë të panegociushme dhe se nuk do të dërgojë asnjë përfaqësues për t’i negociuar ata me qeverinë, në “platformën e bashkëqeverisjes”, e cila deri më tani ka shërbyer thjeshtë si një mjet propagandues për qeverinë.
Në një video në Facebook, Kryeministri deklaroi:
“Duhet tentuar një strategji e përbashkët student-qeveri. Duhet një bashkim i domosdoshëm mes nesh i qeverisë studentëve dhe pedagogëve. Të bashkohemi kundër sistemit të korrupsionit, kulturës së falsifikimit dhe keqadministrimit terësor të universitetit. Studentët nuk e bëjnë dot pa qeverinë dhe qeveria nuk e bën dot pa ata.”
Kryeministripo ashtu, kërcënoi me shuarje të protestave, nëse studentët nuk duan të hyjnë në “dialog” me të:
“Për mua, që ta dini ju, është gjëja më e lehtë të kërkoj në qeveri një manovër taktike që shuan protestën duke adresuar kërkesat më të artikuluara.”
Studentët deklaruan për median se nuk do të dialogojnë me Kryeministrin Rama:
“Nuk pranojmë as dialog dhe as negociata. Edi Rama duhet të miratojë kërkesat tona. Kryeministri nuk na pyeti kur miratoi buxhetin. S’ka për çfarë të na pyesë as tani. Kërkesat tona janë të panegociueshme.”