Pas konferencë për shtyp të kreut të Kadastrës, Artan Lame, edhe Partia Demokratike, përmes ish-deputetes, Jorida Tabaku, ka dal me një deklaratë për çështjen e pronave dhe legalizimeve.
Duke shprehur se ligji i pronave u ka bërë pronarëve po aq dëm sa regjimi komunist, Tabaku deklaroi se PD do ta anullojë atë kur të vijë në pushtet.
“Jo vetëm me një ligj, por edhe një korpus ligjor prej 10 ligjesh që cenojnë të drejtën e pronës, si Ligji i Investimeve Strategjike, një prej tyre, i cili është duke zaptuar pronat e pronarëve pa të drejtë dhe është duke i konsideruar ato prona publike, do të anulohet bashkë me ligjet e tjerë,” u shpreh ajo.
Partia Demokratike, shtoi Tabaku, është angazhuar së bashku më 8 shoqata pronarësh qyshkur e çuan ligjin për gjykim në Gjykatën Kushtetuese.
Ligji i ri do të ketë tre elemente: kthimi dhe njohja e provane, kompensimi fizik dhe kompensimi financiar, aty ku ai fizik nuk është i mundur.
Për çështjen e legalizimit, Tabaku u shpreh se qeveria ka dështuar dhe se legalizimet kryhen vetëm në këmbim të rryshfetit.
“Sot situata në terren është që pasi qytetarët shqiptarë i kanë paguar buxhetit të shtetit mbi 60 milionë euro për procesin e legalizimit ky është një nga dështimet më të mëdha të qeverisë“, tha ajo.
Tabaku bëri me dije se të dyja çështjet do jenë në axhendën e 100 ditëve të para të qeverisjes së PD dhe do të fillojnë të zbatohen në fillim të 2022.