Talibanët do të mirëprisnin investimet gjermane në Afganistan që do të ndihmonin në fusha si ndihma humanitare, kujdesi shëndetësor, arsimi dhe infrastruktura, tha zëdhënësi i grupit për gazetën Bild.
Talibanët morën pushtetin në Afganistan muajin e kaluar pasi forcat e huaja u tërhoqën pas një misioni 20-vjeçar dhe vendi po përballet me një kolaps ekonomik dhe krizë humanitare ndërsa organizatat dhe qeveritë e perëndimit po mendojnë si të sillen me udhëheqësit e rinj.
Gjermania, duke vepruar në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, ka vendosur kushte për të rivendosur një prani diplomatike në Kabul dhe të zhbllokojë ndihmat për zhvillim, duke u kërkuar talebanëve të respektojnë të drejtat e njeriut, veçanërisht ato të grave.
“Qeveria gjermane mund të inkurajojë sipërmarrësit e saj të vijnë dhe të investojnë në vendin tonë,” tha zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid në një intervistë për Bild të botuar të hënën, raporton Reuters.
Talibanët do të hapnin rrugën për investime dhe do të garantojnë sigurinë e kompanive, tha ai.
Grupi islamik është përpjekur të paraqesë një sjellje më të moderuar këtë herë pas marrjes së pushtetit.
“Ne do të donim të ringjallnim atmosferën miqësore që ekzistonte midis afganëve dhe gjermanëve. Qeveria e ardhshme do të bazohet në një marrëdhënie miqësore me Gjermaninë. Ne do të donim që Gjermania të na mbështeste në sektorin humanitar dhe kemi nevojë për ndihmë në sektorin e kujdesit shëndetësor, në fushën e arsimit dhe me infrastrukturën,” tha Mujahid.
Ai tha gjithashtu se talebanët do të ishin “shumë të lumtur” të mirëpresin kancelaren Angela Merkel për një vizitë në Afganistan.
Qytetarët gjermanë që jetojnë në vend dhe afganët që kanë bashkëpunuar me Gjermaninë në të kaluarën nuk duhet të kenë frikë nga talebanët dhe nuk do të ketë probleme, tha Mujahid.
Ushtria gjermane evakuoi më shumë se 5,000 njerëz nga aeroporti i Kabulit në fund të gushtit, por mijëra ish-punonjës lokalë dhe familjet e tyre janë ende në vend. Berlini ka premtuar se do t’i nxjerrë jashtë.
Ambasadori i caktuar i Gjermanisë në Kabul, Markus Potzel, ka negociuar me talebanët në Doha për të garantuar kalim të sigurt për ta.