Gazësjellësi TransAdriatik TAP ka publikuar sot të dhënat për ecurinë e punimeve deri ne fund të vitit 2017.
Kur ka mbetur vetëm një vit nga përfundimi i shtrimit të gjithë tubacionit, deri në fund të vitit 2017 janë shtruar në total 878 kilometra prej të cilave, 550 kilometra në Greqi, 215 kilometra në Shqipëri, 105 kilometra në Detin Adriatik dhe 8 kilometra në Itali.
Investimi i plotë për ndërtimin e TAP në Shqipëri është 1,5 miliardë euro, duke u bërë kontribuesi më i madh në stokun e Investimeve të Huaja Direkte (IHD).
Për projektin TAP në Shqipëri aktualisht punojnë 2200 persona dhe 84 për qind prej tyre janë shqiptarë.
Kur ka përfunduar rreth 90 për qind e punës, viti 2018 do të jetë viti i fundit i punimeve. Gjatë vitit 2019 do të bëhen testimet e para, ndërsa në vitin 2020 pritet të nisë veprimtaria dhe sasia e parë e gazit të mbërrijë në Evropë.
TAP është pjesë e korridorit Jugor të Gazit dhe projekti më i rëndësishëm energjitik për BE-në. Ndërtimi i gazsjellësit do të furnizojë vendet e BE-së me gaz nga Azerbaxhani me qëllim uljen e importit të gazit nga Rusia.
TAP do të lidhet më gazsjellësin Trans—Anatolian (TANAP) në kufirin e Greqisë me Turqinë, më pas duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Detit Adriatik do të përfundojë në brigjet e Italisë së Jugut.
Përfshirja e Shqipërisë në këtë projekt, e ka përfshirë vendin në hartën evropiane të energjisë. Përfundimi I punimeve dhe investimit është një lajm I keq për Shqipërinë dhe qeverinë, e cila duhet të thithë investime të reja të huaja.
Alarmin për nevojën urgjente për tërheqjen e investimeve të huaja direkte e kanë ngritur dhe Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar apo dhe agjensia ndërkombëtare vlerësuese Standard and Poor’s. Këto institucione, ndër të tjera rekomandojnë dhe zbatimin e reformave, luftën ndaj korrupsionit, respektimin e të drejtës së pronës dhe forcimin e institucioneve si faktorë që do të përmirësojnë ndjeshëm klimin e biznesit, do të tërhiqnin investime të reja dhe do të rrisnin perspektivën e rritjes ekonomike të vendit.