Tarifa prej 5 eurosh që qytetarët shqiptarë do të paguajnë për çdo kalim të rrugës Milot-Morinë, është tarifa më e lartë e aplikuar krahasuar me ato të rrugëve në vendet e Evropës.
Revista Monitor ka krahasuar tarifën që Qeveria Rama vendosi për kalimin në Rrugën e Kombit, me tarifat e vendosura në autostradat, urat e tunelet e vendeve evropiane.
Bazuar në të dhënat e portalit evropian http://www.tolls.eu, Monitor shkruan:
Siç shihet edhe nga renditja, Shqipëria ka nivelin më të lartë të tarifave të vendosura ndaj një investimi publik vetëm për mirëmbajtje, me 5 euro për veturat dhe 22,5 euro për kamionët.
Austria merr taksë për rrugët me pagesë mesatarisht 0,5 euro në ditë për një veturë dhe 0,9 euro për një kamion.
Në Maqedoni, pagesa varion nga 0,9 euro në ditë për veturat deri në 2,5-3,5 euro për kamionët.
Në Francë, për Tunelin Prado-Carénage, paguhet një tarifë prej 2,8 euro për vetura dhe 3,2 euro për kamionët.
Në Turqi për kalimin në Urën Sulltan Selim mbi ngushticën e Bosforit paguhet 1,7 euro për veturat dhe 2,3 euro për kamionët.
Në Moldavi veturat paguajnë 0,5 euro në ditë dhe në Rumani 0,4 euro në ditë.
Ekspertët nga Drejtoria e Përgjithshme të Rrugëve pohojnë se zakonisht për mirëmbajtje e rrugëve, tarifat në maksimalen e tyre janë 2,5 euro për 100 kilometër.
Pavarëisht kësaj, tarifa për aksin Milot-Morinë, që është më pak se 115 kilometër e gjatë, tarifa do të jetë 5 euro në vajtje dhe 5 euro në ardhje për veturat, dhe 22,5 euro në vajtje dhe 22,5 euro në ardhje për kamionët.
Vendosja e tarifës për çdo kalim ishte përcaktuar në kontratën koncesionare me kompaninë turke “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, të firmosur nga qeveria më dhjetor 2016. Kompania, sipas kontratës do të mirëmbajë Rrugën e Kombit për një periudhë 30 vjeçare.