“Deri në këto momente nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Covid-19 [koronavirus].”
Kështu deklaroi sot Eugena Tomini, drejtuesja e Shërbimit të Inteligjiencës Epidemiologjike, në përfundim të mbledhjes së task-forcës për koronavirusin drejtuar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Ajo sqaroi për qytetarët se deri në mbrëmjen e djeshme janë testuar 8 raste të dyshuar dhe kanë rezultuar negativ në Institutin e Shëndetit Publik.
Ajo sqaroi se analizat bëhen në laboratorin e Inspektorit të Shëndetit Publik dhe rezultati i analizës del për 8-12 orë.
Zonja Tomini tha se shteti ka shtuar masat në pikat kufitare dhe po monitoron të gjithë udhëtarët nga Italia:
“Çdo linjë e ardhur nga Italia monitorohet. Udhëtarët që janë evidentuar dhe vlerësuar në pikat kufitare kanë marrë rekomandimin e duhur. Nëse vijnë nga vendet, ku Italia ka vendosur karantinim, ata udhëtarë nuk dalin nga karantina. Shpresojmë që edhe kjo virozë të ketë një tendencë në ulje me rritjen e temperaturave.”
Zonja Tomini i bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm me higjenën personale dhe të mos panikohen.