Duket se kreu i grupit parlamentar Taulant Balla ka huazuar ‘argumentin mbrojtës’ të deputetes Elisa Spiropali për të justifikuar dështimin e institucioneve shqiptare për të parandaluar ngjarje të rënda kriminale.
Duke marrë në mbrojtje ministrin Lleshaj për dështimin në parandalimin e atentatit mafioz të 15 shtatorit në Tiranë, i lidhur me të paktën 5 vrasje të tjera të mëparshme ende të pazbardhura, Taulant Balla deklaroi në 16 shtator 2020:
“Sulme kriminale si ai i mbrëmshmi në Tiranë ndodhin në çdo kryeqytet të botës dhe do doja të kishit pak durim sepse policia e Shtetit do t’i zbulojë në kohë autorët dhe do t’i vërë para përgjegjësisë.”
Të njëjtin argument përdori Elisa Spiropali, në 5 shkurt 2019, lidhur me përdhuminim e një 13 vjeçareje në Kavajë, i cili tregoi dështimin e strukturave të shtetit për të zbuluar ngjarjen, kur i gjithë qyteti ishte në dijeni:
“Raste të tilla fatkeqësisht ndodhin edhe në vende të tjera shumë të zhvilluara, raste në Amerikë, Suedi, Finlandë e kudo tjetër. Bëhen edhe filma për raste të tilla të tmerrshme që kanë një ndjeshmëri të lartë sociale.”