Shqipëria është nja ndër tre vendet më të varfra të Evropës, së bashku me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vitin 2016 të ardhurat për frymë të shqiptarëve ishin 4203 dollarë për person.
Shqipëria renditet e 106-ta nga 190 vende të botës, pra në 40 përqindshin e vendeve më të varfra të botës.
Të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë sa një e teta e atyre të qytetarëve të Bashkimit Evropian, të cilët kanë mesatarisht 32 192 dollarë për frymë në vit.
Krahasuar me vitin 2015, të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë rritur me 260 dollarë për person, por krahasuar me vitet 2014, 2013, 2012, 2011 të ardhurat e shqiptarëve janë ulur ndjeshëm.
Dhjetë vite më parë, në vitin 2006, Shqipëria renditej në po të njejtin pozicion, e 106-ta në botë, me 2975 dollarë të ardhura për frymë.
Në rajonin e Ballkanit, Sllovenia ka të ardhurat më të larta duke u renditur e 38-ta në botë me 21 mijë dollarë për frymë, më pas Kroacia e 61-ta në botë me 12 095 dollarë.