Pak ditë më parë, në shkelje të Kushtetutës dhe thelbit të reformës në drejtësi, Ministri Xhafaj dhe Kryeprokurorja Marku vendosën ngritjen e një strukture paralele për hetimin e korrupsionit e krimit, nën varësinë e Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit për këtë vendim i kemi shpjeguar këtu, ndërsa më poshtë po japim në rend kronologjik, të gjithë nismat e kësaj natyre, të marra nga qeveritë e mëparshme. Në të gjitha rastet këto përpjekje të qeverive dhe prokurorisë kanë qenë të dështuara.
Në nëntor të 2017, Ministria e Brendshme prezantoi aksionin e quajtur Forca e Ligjit, nën të cilin do të krijohet Task Forca kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Organigrama e Task Forcës përfshin një organ koordinues—Task Forca Qendrore (TFQ)—e përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, shërbimeve sekrete, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjerë. Po ashtu parashikohen të ngrihen Task Forcat Speciale Rajonale në çdo rreth, nën drejtimin e Task Forcës Speciale Qendrore, secila me drejtoritë, specialistët dhe agjentët përkatës.
Më 31 janar 2018, bazuar në të njëjtën VKM numër 643, datë 6 nëntor 2017 dhe urdhërit të kryeministrit për ngritjen e strukturës së Task Forcës, Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku dhe Ministri i Brendshëm Xhafaj lidhën një marrëveshje për formimin e “Njësive speciale për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe prokurorive të rrethe”.
Ndërkohë në 2014-ën, ish-Ministri i Drejtësisë Nasip Naço prezantoi krijimin e “Njësive të Përbashkëta me FBI dhe DEA”.
Në takimin me Zëvendësprokurorin e Përgjithshëm të asaj kohe të SHBA-ve, James M. Cole, Ministri Naço lajmëroi vendosjen e përfaqësuesve të FBI dhe DEA në Tiranë me njësi të e përbashkëta hetimore amerikano-shqiptare. Ato do të zhvillonin aksione të përbashkëta antimafie dhe antiterroriste.
Më 6 shtator 2007, ish-Kryeprokurori Theodhori Sollaku urdhëron krijimin e “Njësisë së përbashkët hetimore për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit”.
Më 6 maj 2009, nënshkruhet memorandum bashkëpunimi ndërmjet, Ministrisë së Financave, SHISH, ILDKP, KLSH, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Brendshme për krijimin e gjashtë Njësive të Përbashkëta Hetimore të reja, pranë Prokurorive të Durrësit, Vlorës, Fierit, Shkodrës, Korçës dhe Gjirokastrës.
Në shtator 2013, ish-ambasadori amerikan Arvizu dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla njoftuan krijimin e njësive të përbashkëta SHBA-Shqipëri për hetimin e korrupsionit. Nisma u përgëzua nga ish-ambasadori Arvizu, i cili u shpreh në atë kohë se “Njësitë e përbashkëta hetimore, që luftojnë korrupsionin në administratën publike, kanë mbështetjen e SHBA.”