Të paprekshmit: si u grabit ARMO me bashkëpunimin e qeverisë

Nga Carloalberto Rossi
Të paprekshmit: si u grabit ARMO me bashkëpunimin e qeverisë

Në dhjetor të vitit 2013, Engjell Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, u emërua nga ministri i atëhershëm i Ekonomisë Arben Ahmetaj anëtar i Këshillit Mbikqyrës të ARMO-s, si përfaqësues i shtetit. Ai u dorëhoq në nëntor 2014, dhe qendroi në detyrë deri kur u zëvendësua nga Klodian Mene në 2015.

Kjo ikje e papritur ndodhi për shkak se ai kuptoi biznesin e vërtetë të ARMO-s dhe vendosi të ikë për të mos lënë gjurmë kompromentuese. Sidoqoftë, para se të ikte ai miratoi bilancin e vitit 2013 të ARMO-s, me rreth 24 miliardë lek humbje. Ai qe gjithashtu në dijeni të detyrimeve të pashlyera të ARMO-s: 24 miliardë ndaj nënkontraktorëve dhe bankave, 10,3 miliardë ndaj furnitorëve, 4,3 miliardë ndaj shtetit dhe 8,9 miliardë ndaj palëve të tjera, për një borxh total prej 47,5 miliardë lek ose rreth 350 milionë euro.

Më pas, borxhi u rrit më shumë—gjatë vitit 2014 u shtuan rreth 25 milionë euro, ndërsa në vitin 2015 u shtuan edhe rreth 120 milionë euro të tjera borxh, duke e çuar totalin e borxhit të ARMO-s në pothuajse gjysëm miliardë euro.

Këto detyrime u grumbulluan në kushtet kur të ardhurat e ARMO-s në vitin 2013 ishin rreth 25 milionë euro, që do të thotë se borxhet ishin afërsisht sa të ardhurat e 20 vjetëve të kompanisë.

Ndërkohë, kompania Trading Petrol and Drilling (TP&D), në pronësi reale të një biznesmeni shumë të afërt të Kryeministrit Rama, kishte marrë me qira rafinerinë e Fierit nga ARMO—teorikisht me kapacitet përpunues 500 mijë ton naftë të papërpunuar në vit—për një pagesë prej 136,5 milionë lek në muaj (sipas pagesës së muajit dhjetor 2013). Ndërkohë ARMO, biznesi i vetëm i së cilës ishte rafinerimi, kishte shpenzime direkte operative prej 285 milionë lek në muaj, pra, rreth 3,4 miliardë lek në vit, përveç kostove të mëdha financiare dhe administrative. Kjo do të thotë se nafta e kompanisë TP&D rafinohej në ARMO nën kosto, pra duke u subvencionuar direkt nga ARMO dhe indirekt nga qeveria.

Sigurisht, deri në këtë moment, dëmet e mëdha në ARMO ishin krijuar nga menaxhimi i gabuar i Rezart Taçit, i mundësuar nga qeveria demokrate, por situata kur Edi Rama erdhi në pushtet ishte e qartë. Ish-avokati penalist Engjell Agaçi, si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të ARMO-s dhe ministri i atëhershëm i Ekonomisë Arben Ahmetaj, si pronar në emër të shtetit i 15 për qind të ARMOS, sado pak të kuptonin nga ekonomia dhe e drejta tregtare, duhet ta kishin vënë menjëherë nën administrim të jashtëzakonshëm ARMO-n me anë të një ligji të veçantë, duke përjashtuar prej saj ortakët azerë, dhe duke vazhduar me rikapitalizimin e kompanisë nga shteti ose likujdimin e saj në bazë të procedurave të ligjit të falimentit.

Të drejtosh një organizatë ose një qeveri, shpesh përfshin detyrën për të marrë vendimet të vështira.

Përkundrazi, siguria e të qenit i pandëshkueshëm, përforcuar nga ligjet e paqarta dhe të pasakta dhe kontrolli politik mbi informacionin e zbatimit të ligjit, i shtyu “heronjtë” e rinj të përfitojnë nga arkitektura grabitqare, në atë kohë e vënë në veprim nga kompania TP&D, që i mundësonte asaj përdorimin e rafinerisë duke ja lënë koston në kurriz ARMO-s. TP&D arriti që një pjesë të detyrimeve të saj doganore dhe fiskale për naftën në pronësi të saj por të përpunuar në rafinerinë e ARMO-s t’ja linte pjesërisht detyrim ARMO-s.

Nga ai moment, loja ishte e thjeshtë: blihej naftë e papërpunuar (brenda ose jashtë Shqipërisë), përpunohej në impiantet e ARMO-s dhe pastaj rishitej, ndoshta pa paguar tatimin e akcizës dhe duke ja lënë detyrimet e tjera fiskale ARMO-s, e cila nuk mund të falimentonte sepse ishte në bashkëpronësi të shtetit dhe “kompani strategjike”.

Monopol faktik dhe përjashtim faktik nga taksat—e çfarë mund të ëndërrojë më shumë një biznes!

Përfitimit të madh politik (sidoqoftë të paligjshëm) nga monopoli i furnizimit me naftë iu shtua edhe përfitimi (i paligjshëm) nga akciza e paderdhur nga ARMO. Kështu, ARMO u transformua, nga një kompani e privatizuar në mënyrë grabitqare nga Rezart Taci, por që të paktën formalisht zbatonte rregullat administrative, në një kufomë pa zot të vërtet, që përdorej në mënyrë të fshehtë për të vjedhur thesarin e shtetit dhe për të kontrolluar tregun shqiptar të naftës.

Çdo gjurmë zhdukej në errësirën e mungesës së plotë të informacionit, falë mosveprimit të funksionarëve shtetëror me detyrën për të mbikqyrur pronat e shtetit, atyre përgjegjës për mbikqyrjen e tregjeve dhe funksionarëve të përgjegjëshëm për mbledhjen e akcizës.

Në fakt, pa bashkëpunimin e Ministrit të Financave kjo lojë është e vështirë për t’u luajtur gjatë, por në atë kohë administrata tatimore dhe doganore i jepte llogari direkt Kryeministrit duke anashkaluar ministrin kokëfortë Shkëlqim Cani, “pengesë” e cila u hoq fare në shkurt 2016, kur Arben Ahmetaj mori në dorë ministrinë e Financave. Që nga ai moment loja ishte fare e thjeshtë.

Por dy kompanitë mbulesë të futura në lojë, TP&D—që kishte marrë me qera rafinerinë e Fierit nga 20 shtator 2013 deri më 31 dhjetor 2015—dhe Deveron Oil—që kishte marrë me qera rafinerinë e Ballshit nga 10 janar 2014 deri më 1 mars 2016— ishin afër mbarimit të kontratës dhe nuk e mbanin dot më ngarkesën.

Deverin Oil ishte shumë e përfshirë më azerët dhe të tjera subjekte të çuditshme të ardhura nga Rusia, ndërsa TP&D ishte në gjendje të vështirë financiare. Për më tepër, në mes të vitit 2015 ortaku i vetëm i TP&D-së u arrestua si pjesë e një rrjeti të trafikimit të drogës (sikur të mos i mjaftonin fitimet nga nafta dhe duhej të shtone edhe fitime nga droga).

Në këto kushte, duhej gjetur një tjetër subjekt për të shërbyer si “rregullator” i tregut të naftës. Në verën e vitit 2016, i gjithë sistemi u riorganizua duke përdorur si mbulesë amerikanin e falimentuar Harry Sergeant III dhe kompaninë e tij të regjistruar offshore IRTC, e cila regjistroi një degë në Shqipëri, jo rastësisht me seli dhe administrator të dhënë nga nga kompania TP&D.

Vetë Arben Ahmetaj, tashmë Ministër i Financave, nxitoi drejt Fierit, nën shoqërinë e amerikanit Sergeant dhe zëvendës kryeministrit Peleshi, për të marrë meritat politike për “shpëtimin” e ARMO-s. Nga Fieri, Ahmetaj paralajmëroi veprime të tjera të dyshimta për disa burime nafte në jug të vendit, ndoshta për të ri-investuar në to përfitimet e mëdha nga veprimtaria e ARMO-s. Exit.al e ka mbuluar në thellësi këtë lajm.

Kështu loja rifilloi si fortunë—ARMO i vuri rafineritë e saj në shërbim të klientit të ri, IRTC, që ndërkohë kishte mbyllur një kontratë për të blerë sasi të mëdha nafte të papërpunuar nga Bankers Petroleum, duke ulur kështu ndjeshëm eksportet. “Investitori” i ri vazhdoi të shtonte detyrimet e ARMO-s ndaj shtetit, ose më mirë ndaj Ministrisë së Financave, borxhe të cilat qeveria dhe ministri i Financave, nuk i kanë kërkuar kurrë, sikurse nuk kanë ndaluar kurrë shtimin e tyre.

Ndërkohë, situata financiare e shkatërruar e ARMO-s dhe mungesa e fuqisë paguese i detyroi dy bankat kryesore debitore, Credins dhe Raiffeisen, të vënë në lëvizje zyrat ligjore për të marrë garancitë për huatë që i kishin dhënë ARMO-s. Pas shumë manovrimesh, vetëm Credins arriti të nxjerrë në ankand rafinerinë e Ballshit dhe të marrë atë në pronësi si ofruesi i vetëm, në shkëmbim të një pjesë të huasë, ndërsa Raiffeisen mbylli me ARMO-n një marrëveshje misterioze për ristrukturimin e huasë, dhe duket se, në mënyrë të pashpjeguar vuri nën kontroll edhe rafinerinë e Fierit.

Këto veprime nxorën jashtë loje institucionet shtetërore (tatime, dogana, sigurime shoqërore, bashki, Albpetrol) të cilat duhet të garantonin shlyerjen nga ARMO të taksave e detyrimeve të papaguara. Kërkesat e këtyre institucioneve për sekuestrimin e pronave të ARMO-s nuk u ekzekutuan nga zyrat shtetërore, ndërkohë që kërkesat për sekuestrim nga bankat Credins dhe Raiffesien këto zyra i zbatuan menjëherë.

Pra, Credins dhe Raiffeisen arritën të mbrojnë dhe të marrin mbrapsht shumat e huave të tyre, kurse qeveria (që në teori duhet të ishte e privilegjuar nga ligji) nuk ja doli dot të bënte të njejtën gjë për shkak të gabimeve (ose veprimeve të qëllimshme) nga ana e funksionarëve të saj.

Për këto arsye, në fund të nëntorit 2016, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani shkarkoi shefin e hipotekës së Ballshit dhe juristin e hipotekës dhe urdhëroi hetimin e zyrave përkatëse të hipotekës dhe përmbarimit shtetëror.

Ky hetim zbuloi një sërë parregullsish të cilat çuan në nxjerrjen në ankand të 54 pronave të patundshme të ARMO-s për llogari vetëm të bankave, duke injoruar krejtësisht të gjitha institucionet qeveritare (tatimet, doganat, komuna, bashki) ndaj të cilëve ARMO kishte gjithashtu detyrime të papaguara dhe të cilat kishin kërkuar bllokimin e pasurive të ARMO-s, urdhëra që nuk u zbatuan nga hipoteka e Mallakastrës.

Pra, shteti nuk arriti të mbledhë detyrimet e tij nga një kompani ku qeveria është bashkëpronare, ndërsa një bankë private arriti të mbrojë huatë e saj duke marrë rreth 750 mijë metra katrorë tokë dhe ndërtime mbi të.

Raporti iu dorëzua Ministrit Manjani përprara fundit të dhjetorit 2016. Por në fund të janarit 2017, ministri Manjani u pushua nga Kryeministri Rama, pa asnjë mbrojtje nga Ilir Meta.

Në të njejtën kohë, Ministri i Energjisë ndërhyri për të shmangur prerjen nga OSSHE të furnizimit me energji elektrike të ARMO-s, të cilën kompania nuk e paguante prej vitesh edhe pse ARMO administrohej nga e njejta Ministri nga e cila varet OSSHEE.

Një raport i brendshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë i 4 shkurtit 2016 (teksti i së cilës u botua nga reporter.al) zbulonte se se borxhet e ARMO-s kishin kapur shumën 595 milionë dollarë, nga të cilat rreth 25 milionë ishin krijuar në vitin 2014 dhe 137 milionë në vitin 2015. Nga ky borxh, 205 milionë dollarë ishin detyrime ndaj shtetit: 20 milionë dollarë akcizë e papaguar dhe 185 milionë dollarë taksa të tjera të papaguara (TVSH, tatim fitimi, sigurime shoqërore, etj.).

Para disa muajsh, Ministria e Energjitikës sqaroi për Reporter.al se rafineritë e naftës në Ballsh dhe Fier tani janë pronë e dy bankave, tani në pronë të Credins dhe Raiffeisen, të cilat i kanë dhënë ato me qera për kompani të treta.

Sipas Reporter.al, “administratori” i ri i të dy rafinerive, kompania RTC— e kontrolluar nga i njejti grup personash të lidhur me TP&D—kishte krijuar deri në korrik të vitit 2017 rreth 22 milionë euro borxhe të reja kundrejt shtetit, ndërsa sipas revistës Monitor, në fund të shtatorit 2017, borxhi i shtuar që nga koha kur rafineritë u morën nga bankat private, arriti në 28,5 milionë euro.

Gjithmonë sipas Reporter.al, që citon burime anonime nga Banka e Shqipërisë, pas shitjes në ankand tek Credins dhe Reiffeisen të rafinerive, kompania ARMO nuk klasifikohet borxhlie e keqe dhe nuk është më në listën e debitorëve të mëdhenj të pakthyeshëm—pra, në listën e 35 kompanive misterioze të cilat kanë rreth 65 për qind të gjithë volumit të kredive të këqija ndaj sistemit bankar—por është një nga 7 kompanitë e mëdha debitore që ka ristrukturuar huatë e marra.

Përgëzime, por… po kreditorët e tjerë jo bankarë? Po shteti?

Në fakt, pyetja e rëndësishme është se çfarë përfaqëson sot ARMO, nëse rafineritë e saj kanë kaluar në pronësi të bankave? Çfarë fiton kompania për të shlyer borxhet kundrejt bankave të tjera dhe debitorëve privatë jo bankarë?

Kredia e Raiffeisen rezulton e ristrukturuar sipas një marrëveshje pagesash me këste, por duket që Raiffeisen është praktikisht që tani pronarja e rafinerisë së Fierit, të cilën ajo ia ka dhënë në “mirëbesim” (apo me “qira”) IRTC-së. Po me çfarë do t’i paguajë, në këto kushte, ARMO këstet ndaj Raiffeisen?

Si është e mundur që ARMO mund të krijojë borxhe të mëdha ndaj shtetit, duke mos paguar taksat, dhe askush nuk ia kërkon t’i shlyejë, ndërkohë që qeveria arreston edhe tregtarët e vegjël për mungesë kase fiskale, mbyll restorante sepse nuk japin faturë tatimore për çdo porosi më vete nëpër tavolina, madje ul në mënyrë të dëmshme edhe kufirin e TVSH për biznesin e vogël?

Si mundet që përfaqësuesit e shtetit në këshillin e ARMO-s, në fillim Engjëll Agaçi dhe më pas Klodian Mene, të mos kenë konstatuar gjë, të mos kenë lajmëruar për gjendjen alarmante shefin e tyre direkt, Ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj?

Si mundet që ministrat e Ekonomisë, Arben Ahmetaj e më pas Milva Ekonomi, të mos kenë ditur gjë, pikërisht ndërsa në media flisnin për “shpëtimin” e ARMO-s?

Si mundet që ministrat e Financave, Shkëlqim Cani e më pas Arben Ahmetaj, dhe drejtoreshat e një pasnjëshme të tatimeve dhe doganave, të mos kenë vënë re që një nga kompanitë më të mëdha shqiptare nuk paguan thuajse fare taksat dhe akciz?

Akoma më e rëndësishme, ku kanë përfunduar paratë e shumta të fituara me këtë sistem, duke qenë se të gjitha kompanitë e përfshira rezultojnë përherë pa asnjë lloj aftësie paguese, dhe vazhdojnë të sekuestrohen nga përmbarimi për llogari të kreditorëve të ndryshëm?

Çfarë mbrojtje politike gëzojnë këta persona që gërshetojnë narkotrafikun e pandëshkuar, kontrabandën e naftës dhe evazionin fiskal?

Çfarë u përshkruan më sipër nuk janë një seri e rastësishme shpërdorimesh të detyrës, por shkelje të vazhdueshme dhe sistematike të ligjit, të kryera me qëllim sigurimin e përfitimeve të paligjshme dhe evazionit sistematik fiskal nga një grup kompanish dhe personash mbulesë, që kanë administruar për vite të tëra një biznes shumë fitimprurës, duke përfituar nga një monopol faktik i paligjshëm, i fshehur pas shoqërive të falimentuara dhe kompanive të fshehura në parajsat fiskale, që ka prodhuar të ardhura të vështira për t’u gjurmuar.

Si mundet që qindra funksionarë të qeverisë dhe të sistemit të drejtësisë, zyrtarisht me detyrën e luftës kundër korrupsionit, kontarabandës dhe evazionit fiskal, të mos e kenë vënë jo vetëm realitetin e ARMO-s por as artikujt dhe zërat që e kanë denoncuar këtë realitet kohët e fundit?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>