Teatri: tani fjalët janë aq boshe sa nuk i merr as era

Nga Carloalberto Rossi
Teatri: tani fjalët janë aq boshe sa nuk i merr as era

Shembja e Teatrit Kombëtar është rikthyer në çështje të ditës.

Falë një grupi qytetarësh e intelektualësh, ajo është transformuar gradualisht në një qendresë demokratike kundër arrogancës së pushtetit dhe kundër bulimisë së ndërtimit, përditë e më të pajustifikuar, dhe grykësisë së sëmurë të një klase të pangopur dhe injorante të vetëshpallur elitë e kombit.

Sipas një zakoni të vjetër ballkanas, hajdutët vijnë natën, në këtë rast në “natën” që është krijuar masat policore kundër pandemisë.

Dinakëria për të përfshirë, si në një provë mafioze, servilin e përhershëm kryebashkiak dhe servilat e këshillit bashkiak në një këshill që përfaqëson vetëm një parti, tregon, edhe një herë, natyrën frikacake të një regjimi tashmë autokrat, që përpara disidencës së pak njerëzve të lirë, dhunoi lakejt e saj për të inskenuar një konsensus tashëm vetëm virtual.

Ndonjë zë monoton kundërshtie del, si zakonisht, nga udhëheqësit e konsumuar të një opozite gjithmonë e më shumë të konsumuar jashtë parlamentare dhe nga një President Republike gjithmonë e më shumë të kapur tek relikja e një Kushtetute që e kanë kthyer në të padobishme dhe të papërdorshme—por këto zëra janë si të lehurat e qenve të natës: fillon njëri nga një anë, i përgjigjet tjetri nga ana tjetër, pas disa minutash është një grup qenësh që lehin me të madhe, dhe pas disa minutash të gjithë pushojnë, ndoshta brenda vetes të bindur se e larguan njeriun e bezdisshëm, i cili në fakt ndërkohë vazhdon punën i pashqetësuar.

Kësaj here historia ndërlikohet, sepse egërsia e pandalshme e satrapit i ka bërë gabim llogaritë. Si zakonisht, ai dëshiron të fitojë, të tregojë fuqinë e tij absolute, duke poshtëruar dhe dhunuar çdo formë të mendimit kundër, madje edhe brenda sistemit të tij të referencës, por në tërbimin e ndjekjes së gjahut që i ikën prej një kohë të gjatë, duke rrezikuar të ulë frikën që shërben për të kushtëzuar të tijët, ai nuk mund të kuptojë më kufijtë objektivë të veprimit të tij grabitqar e politik në të njëjtën kohë.

Por këtë herë në sytë e popullit shqiptar, më shumë sesa besueshmëria e satrapit, është në lojë besueshmëria që i ka mbetur një opozite që tashmë prej 7 vitesh vazhdon të kërcënojë me uraganë e pastaj përfundon në një qoshe duke kuruar plagët, duke mos luajtur asnjë lojë deri në fund, ndoshta duke u kënaqur me ato pak qofte, dhe ato të helmuara, që sistemi i Rilindjes së Oligarkëve u garanton atyre si një përfitim minimal sindikal.

Kësaj herë çështja nuk është vetëm çështje politike, nuk ka lidhje epoka fashiste në të cilën u ndërtua teatri, aq më pak kanë rëndësi projektet e zhvillimit të vërtetë të kombit, dhe aq më pak ekspertiza teknike e përgatitur nga disa bashkëpunëtorë pa dinjitet profesional.

Këtu bëhet fjalë për plaçkitjen e burimeve të vendit, ku një ndërtesë që ka luajtur një rol simbolik e konstruktiv të një identiteti kulturor kombëtar, duhet të prishet për të kënaqur urrejtjen e një personi të çekuilibruar kundër rrënjëve të tij, si dhe orekset e pasanikëve të rinj, që në atë teatër nuk kanë hyrë as një herë në jetën e tyre të gjatë dhe grabitqare.

Këtu po flasim për prerjen sistematike dhe të vazhdueshme të rrënjëve, dekonstruksionin e qytetit dhe, përmes tij, të të gjithë shoqërisë para-ekzistuese, për t’i hapur vend një versioni të ri të tregut të diktaturës komuniste.

Dhe satrapi kur t’ja dalë ta bëjë këtë shembje kriminale, nën rrënojat do të varroset, kësaj herë përgjithmonë, e gjithë opozita, që do të ketë treguar edhe një herë padobishmërinë e saj dhe paaftësinë për të ndaluar dukurinë; opozita e aftë për shumë dekalrime pompoze por për pak veprim dhe asnjë rezultat thelbësor; opozita e aftë të fshihet pas këshillave të zakonshme pa asnjë ndjeshmëri të ndërkombëtare për të gjetur një rrugëdalje përfundimtare nga situata që nuk donte dhe nuk dinte si ta menaxhonte.

Por nën ato rrënoja do të varrosen përgjithmonë edhe intelektualët e sallonit, ata që nuk janë as me këtë dhe as me atë, ata të gatshëm të ulen në Kuvend, edhe nëse nuk janë zgjedhur kurrë, ata që mendojnë se interesi i tyre individual i menjëhershëm justifikon çdo heqje dorë nga dinjiteti dhe e ardhmja.

Dhe do ta qepë gojën edhe ai popull indiferent që pret gjithmonë që punët t’i bëjnë të tjerët në vend të tij, që preferon të vazhdojë të ankohet por jo të përballet, dhe pastaj të përfundojë në emigrim.

Për të qënë drejtues të besueshëm të një formacioni njerëzor duhet karizëm, e cila fitohet duke mbajtur premtimet dhe duke kënaqur pritshmëritë, ndonjëherë edhe me akte që duken iracionale, duke rrezikuar edhe ndonjë gjë të vërtetë, madje duke e lënë veten të merresh peng.

Por për të pretenduar një qeveri më të mirë dhe një sistem politik të ekuilibruar, duhet që edhe populli të jetë i gatshëm të heqë dorë nga diçka, pikë së pari nga një imunitet gjithmonë e më pak efikas i fituar duke iu larguar përgjegjësive vetjake qytetare.

Ndoshta mund t’ja futësh vrapit një herë, ndoshta dy, por pastaj bëhet shumë. Dhe në atë pikë, deklariemt e partive, sikurse ankesat me gjysëm zëri të popullit, kthehen vetëm në fjalë boshe.

Dhe nuk do të mjaftojnë më justifikimet e zakonshme, përkundrazi, të shumtë do të jenë ata që do të akuzojnë opozitën si të shitur dhe thelbësisht bashkëfajtore dhe plotësuese e pushteti që thotë se e kundërshton.

Nuk mjafton më të bësh sikur kundërsht0n—tani minimumi që duhet është rezultati i vërtetë: për sa kohë që Teatri qendron në këmbë, opozita mbetet pak më e besueshme, pasi të shembet Teatri, kjo opozitë që sot kanalizon kundërshtinë pa i shërbyer asaj, do të fshihet përgjithmonë. Por edhe i gjithë populli do të jetë i humbur, dhe do të kthehet të shikojë RAI-n në fshehtësi.

Tani, sikurse thonë në Romë, fjalët janë aq boshe sa as era nuk i merr dot—nëse bie Teatri, mbreti do të qëndrojë lakuriq, por loja do të ketë mbaruar, dhe jo vetëm për opozitën: askush nuk do të paguajë më për tradhëtinë e intelektualëve dhe të opinionistëve, dhe askush nuk do t’i pengojë më grabitjen e padrejtësitë ndaj popullit, dhe bashkëpunëtorët e zakonshëm të satrapit do të jetojnë nën terror duke u bërë më shumë servil.

Atëherë skenari do të jetë më i qartë dhe pa asnjë hile: ose Ai, ose Kombi Shqiptar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>