Tenderat me një konkurrues: Shenjë e kapjes së shtetit nga biznesi

Tenderat me një konkurrues: Shenjë e kapjes së shtetit nga biznesi

Procedurat e prokurimit publik ekzistojnë për dy arsye: për të krijuar konkurrencë të ndershme ndërmjet bizneseve të reja dhe atyre të qëndrueshme dhe për të garantuar një treg të lirë në të cilin qeveria të paguajë një çmim të leverdisshëm për shërbimet dhe të mirat që do të përfitojë. Ato duhet të jenë të hapura për një gamë të gjerë biznesesh konkurruese.

Tenderët në të cilat merr pjesë vetëm një kompani dëmtojnë buxhetin e shtetit, ashtu si dhe tregun e lirë. Ato lënë dyshime se kriteret e tenderit janë shkruar për të favorizuar vetëm një kompani të caktuar, duke krijuar mundësi për konflikt interesi dhe korrupsioni.

Sipas shifrave të bëra publike në Open Data Albania, 12 për qind e të gjitha fondeve të qeverisë të shpenzuara në prokurimin publik gjatë vitit 2016 janë zhvilluar me një konkurrent të vetëm: pra vetëm një kompani ka paraqitur ofertë. Në total 240 tenderë, me një vlerë të përgjithshme prej 22 milionë euro, janë zhvilluar me një konkurrent të vetëm.

Tenderë me një konkurrues në 2016. Burimi: Open Data Albania

 

Sipas të dhënave, vetëm 11.2 për qind e këtyre tenderave me një konkurrues janë tenderuar nga Bashkia Tiranë. 38.9 për qind e buxhetit të shtetit i shpenzuar për tenderë me një konkurrues janë mbajtur në Tiranë: më shumë se shtatë milionë euro. Pjesa më e madhe e tyre përfshijnë tenderët për projektet e rikualifikimit urban të sheshit Skënderbej, i cili u fitua pa konkurrencë nga firma Fusha shpk.

Tendera me një konkurues sipas buxhetit. Burimi: Open Data Albania.

 

Pas Bashkisë Tiranë, bashkitë e tjera që kanë një numër të lartë të tenderëve me një konkurrues janë Malësia e Madhe, Korça, Rrogozhina dhe Devolli. Këto tendera i përkasin sërish projekteve të rikualifikimit urban, të ndërmarra në kuadrin e rilindjes urbane.

Nga këto projekte duket se kanë përfituar një grup i vogël ndërtuesish të cilët janë të lidhur ngushtë më qeverinë, të cilat nuk konkurrojnë në treg të hapur, por vetëm në ato tenderë të përgatitura enkas për to.

Sot, FMN i kërkoi qeverisë të punojë për të ulur borxhin publik, i cili vazhdon të zërë 70 për qind të PBB-së.

Pra, në dallim me atë që qeveria mendon, niveli i borxhit ulet duke siguruar një konkurrencë të lirë në treg dhe jo duke zbatuar modelin e partneritetit publik-privat. Dhe sigurisht që tenderët me një konkurrent të vetëm nuk bëjnë pjesë në politikën ekonomike të një vendi, ato thjeshtë tregojnë kapjen e shtetit nga biznesi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>