Pentagoni njoftoi sot se pas një sulmi ajror nga forcat amerikane ishte vrarë në Irak gjenerali iranian Qasem Soleimani, i konsideruar si krahu i djathtë i udhëheqësit fetar Ayatollah Khamenei.
Vrasja ka shkaktuar përshkallëzim të tensioneve mes dy vendeve. Irani zyrtar ka bërë thirrje për hakmarrje ndërsa SHBA-të u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Iraku.
Aksioni ndaj Soleimanit ishte urdhëruar nga Presidenti Donald Trump pas sulmeve të bëra ditët e fundit ndaj Ambasadës Amerikane në Bagdad, të cilat mendohet se janë nxitur nga forcat iraniane.
Soleimani, kreu i forcës elitare Quds të Gardës Revolucionare të Iranit, u vra teksa po shkonte me makinë në aeroportin e Bagdadit, i shoqëruar nga trupa ushtarake.
Udhëheqësi fetar Khamenei dhe Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani thanë se vendi i tyre dhe fqinjë përreth “do të hakmerren”.
Forcat Quds janë nën përgjegjësi direkte të udhëheqësit fetar Khamenei. Ato konsiderohen nga SHBA-të si përgjegjëse për vdekjen e qindra ushtarëve amerikanë.
Rusia dhe Kina kanë bërë thirrje për qetësi, ndërsa Turqia shprehu shqetësim për situatën duke theksuar se çdo ndërhyrje mund të nxiste përhapje të dhunës dhe konfliktit në rajon.
Në Shqipëri sulmi i SHBA-ve është përshëndetur, fillimisht nga Partia Demokratike, e cila e cilësoi në Twitter si “akt të fortë lidershipi dhe mbrojtjeje ndaj vlerave demokratike dhe të paqes”.
Më vonë Kryeministri Rama mbajti të njëjtin qëndrim duke u shprehur edhe ai në Twitter se “si një vend që njohu pak kohë më parë veprimtarinë dashakeqe të Iranit ndaj botës së lirë […] Shqipëria nuk mund të mos e aprovonte me forcë qëndrimin e Presidentit Trump”.