Një tërmet i fortë prej 5,7 ballë goditi Greqinë në orën 1:49 të mëngjesit të sotëm. Epiqendra e tërmetit ishte 11 kilometra në veri-perëndim të Pargës, një vend mjaft i vizituar dhe nga shqiptarët gjatë pushimeve të verës.
Tërmeti u ndje dhe në Janinë, Korfuz e Prevezë. Sipas sizmiologëve tërmeti u ndje në disa qytete në jug të Shqipërisë, madje edhe në Tiranë.
Deri tani ka raportime për persona të lënduar dhe godina të vjetra të shembura, por për fat të mirë, ende asnjë viktimë.
Sipas sizmiologëve grekë, rreth 20 minuta përpara tërmetit 5,7 ballë, ka rënë një tjetër tërmet 4,3 ballë në të njëjtën epiqendër.
Mediat greke raportojnë se Gerasimos Chouliaras, drejtori i Institutit të Kërkimeve Gjeodinamike në Athinë, ka shkruar se një tërmet i tillë pritej pasi disa muaj më parë në Parga ka pasur lëkundje me magnitudë më të ulët.
“Unë personalisht nuk pres goditje më të fortë se kjo e mesnatës së sotme. Mos u shqetësoni”, mbyll deklaratën e tij studiuesi.